Gonxhja nuk synon bashkinë: Si deputet do angazhohem për të mbështetur banorët e zonës
Blendi Gonxhja ka përjashtuar mundësinë për të qenë kandidat i mundshëm në bashkinë e Tiranës.
Për mediet thekson se si deputet do të jetë i angazhuar pranë banorëve të zonës që i dhanë mbi 24 mijë vota.
Në zgjedhjet e 11 majit Blendi Gonxhja mori 24 mijë e 802 vota duke u bërë kandidati më i votuar në listën e hapur të PS.
Nisur edhe nga fakti se ka qenë nënkryetar i bashkisë së Tiranës si dhe situatës së krijuar në drejtimin e kryeqytetit pas arrestimit të Erion Veliaj, emri i tij u përfol jo pak si një emër që mund të garojë për kryebashkiak.
Vetë Gonxhja në përgjigje të gazetarëve shprehet se nuk e ka këtë synim.
“Mendoj se Bashkia e Tiranës zyrtarisht e ka kryetarin e vet, e ka datën e vet të zgjedhjeve në kohën e vet.
Mendoj që nuk ka lidhje me këtë gjë.
Natyrisht pritshmëria shumë pozitive e kryeqytetasve, në këtë rast e Qarkut Tiranë të mbush me krenari, por ta thashë, nuk shoh lidhje direkte me Bashkinë Tiranë”, tha ministri.
Megjithatë shton se si deputet i zonës së Kombinatit do të angazhohet për të rritur kushtet e jetesës atje.
Prej 10 shkurtit Erion Veliaj ndodhet në masën e arrestit me burg, me firmën e tij bashkinë e drejton Anuela Ristani, ndërsa opozita jo pak herë ka kërkuar zgjedhje të reja në të.
