PD nuk njeh 11 majin/ Kikia: Berisha bëri denoncime të reja për shkeljet në zgjedhje

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", analisti Mentor Kikia komentoi kulturën politike paszgjedhore në Shqipëri dhe theksoi rëndësinë e hetimit të çdo shkeljeje të mundshme në procesin zgjedhor.

" Në proceset zgjedhore apo në çdo lloj gare, pjesëmarrësit kanë sfidë të menaxhojnë humbjen ose fitoren. Në realitetet politike shqiptare gjithmonë ka munguar kjo lloj kulture ku humbësi asnjëherë nuk e ka pranuar humbjen dhe fituesi pas fitores është sjellë edhe më arrogant ndaj atij që ka humbur.

Kjo ka bërë që politika të rris dozën e mosbesimit tek qytetarët. Unë e ndoqa daljen publike të zotit Berisha sot në mesditë me disa denoncime të reja. Mendoj që çdolloj denoncimi do të duhet të konsiderohet, jo për të legjitimuar humbjen e opozitës apo për të justifikuar sjelljet e saj në vazhdimësi dhe vendimet që do të marrin në raport me rezultatin e zgjedhjeve por në mënyrë absolute çdo parregulltësi që është vërejtur, çdo shkelje që është bërë, çdo abuzim, çdo shpërdorim që është bërë për të deformuar rezultatin e zgjedhjeve dhe demokracinë në tërësi do të duhet të denoncohet qoftë publikisht qoftë në organet e hetimit", u shpreh Kikia.