RAMA FALENDERON KANDIDATËT! Mesazhi i kreut të PS-së: Nuk ka humbës, por vetëm fitues

Pas përfundimit të plotë të procesit të numërimit, kryesocialisti Edi Rama i është drejtuar kandidatëve të forcës politike që ai drejton me një mesazh falënderues. Duke i cilësuar të gjithë si fitues, Rama theksoi se rezultati i 11 majit ishte historik për PS.

Me përfundimin e numërimit të votave brenda dhe jashtë vendit, Kryeministri Edi Rama i është drejtuar kandidatëve të tij me një mesazh falënderues.

Duke e cilësuar një betejë politike të paharrueshme dhe një sukses të veçantë, kryesocialisti shprehet se rezultati i 11 majit ka krijuar histori për të majtët.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve për eksperiencën e një beteje politike të paharrueshme, ku secili e secila beri sa mundi dhe ku rezultati i përbashkët do mbetet në historinë politike të Shqipërisë, e natyrisht edhe në historinë e Partisë Socialiste, si një sukses krejt i veçantë. Urime me gjithë zemër për ata e ato që ia dolën të hyjnë në ekipin e legjislaturës së ardhshme.”, theksoi Rama.

Nuk la pa përmendur dhe kandidatët që nuk mundën të bëheshin pjesë e parlamentit. Madje u shpreh se ata do t’i nevojiten PS.

“Të gjithë atyre qe s’ia dolën u them shumë sinqerisht se duhet të jenë jo vetëm krenarë, për pjesën e tyre të çmuar në fitoren e Partisë Socialiste, por edhe të bindur se në rrugën që vazhdon, me supersfidën historike të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kontributi i tyre do të jetë shumë i nevojshëm. Prandaj kokën lart të gjithë bashkë motra e vëllezër, këtu nuk ka humbës por vetëm fitues!”, shprehet Rama.

Partia Socialiste arriti të fitojë 83 mandate nga zgjedhjet e 11 majit, duke i siguruar kështu mandatin e katërt qeverisës.