Veliu: Samiti europian në Tiranë, një ngjarje historike për shqiptarët

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", njohësi i çështjeve rajonale Lulzim Veliu e cilësoi samitin europian të mbajtur në Tiranë si një moment historik për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

"Unë mund të them se samiti europian i mbajtur në Tiranë është një ngjarje e shënuar në historinë e popullit shqiptar dhe mendoj se duhet të shënohet si një ngjarje shumë e rëndësishme për shtetin shqiptar, si dhe për historinë shqiptare, pasi arriti të mbledhë 47 vende në një organizim që i mahniti të gjithë europianët.

Ata, para jo shumë vitesh, Shqipërinë e shikonin si një pikë të zezë të Ballkanit dhe të Europës; tani të gjithë u mblodhën dhe i diskutuan problematikat e tyre të të gjithë Europës pikërisht në Tiranë, dhe ishin të mahnitur me organizimin dhe pritjen që i kishte bërë Shqipëria këtij samiti.

Nuk mund të vlerësohet me asgjë tjetër, veçse si një ngjarje shumë e rëndësishme dhe historike për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët, kudo që janë", u shpreh Veliu.