Berati, Tepelena e Mati pa kryetarë! Ish-kryebashkiakët u bënë deputetë, priten zgjedhjet e parakohshme vendore

Tashmë me Ervin Demon, Tërmet Peçin dhe Agron Malajn në parlament, bashkitë Berat, Tepelenë dhe Mat pritet të shkojnë drejt zgjedhjeve për kryebashkiakun e ri.

Me konfirmimin e Ervin Demos, Tërmet Peçit dhe Agron Malajt në parlament, tri bashki të vendit kanë mbetur pa kryetar.

Në të tre njësitë vendore pritet që t’ë rikthehet procesi zgjedhor kësaj radhe jo për ligjvënësin por për kryebashkiakët.

Letrat e dorëheqjes i kanë paraqitur në KQZ vetëm një ditë përpara publikimit zyrtar të listës si kandidat për deputet dhe tashmë kryekomisioneri Ilirian Celibashi do të duhet të shpallë vakancën.

Pas kësaj Presidenti i Republikës Bajram Begaj do të duhet të shpallë dekretin për datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore ndërsa afati kohor është brenda 48 orëve nga konstatimi i mungesës së kryetarit.

Megjithatë jemi ende në procesin e certifikimit të rezultateve të dala nga 11 maji ku pritet ende të konfirmohet tabela përmbyllëse për qarqet Berat, Gjirokastër dhe Dibër që i jep përfundimit Demos, Peçit dhe Malajt ulësen në parlament.

Subjektet politike ende nuk kanë marrë masat për zgjedhjet e pjesshme vendore ndërsa nuk ka ende emra që përfliten si kandidatë të mundshëm për të marrë postin e drejtuesit të institucionit vendor.

Dilemë mbetet nëse do të ketë zgjedhje në Bashkinë e Tiranës, me kryebashkiakun tashmë të arrestuar.