"Përplasja" e zyrtarëve të PD me gazetarët! Berisha: Duhet të kenë më shumë kujdes ndaj medias, sikundër…

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur lidhur me përplasjet verbale mes disa përfaqësuesve të kësaj force politike dhe gazetarëve.

I pyetur nga mediat pas paraqitjes në SPAK, ai theksoi se çdo politikan duhet të tregojë kujdes të shtuar në marrëdhënien me median, duke e konsideruar respektin ndaj gazetarëve si një parim të rëndësishëm në jetën publike.

Sipas Berishës, ndonëse në momente tensioni, si protestat, mund të ketë episode të papëlqyeshme, marrëdhëniet mes PD dhe mediave kanë qenë përgjithësisht më të qeta në krahasim me forcat e tjera politike.

DEKLARATA E PLOTË E SALI BERISHËS

Tani, meqë më pyet, personalisht siç e di, kam falënderuar me sinqeritet, në mënyrë të përsëritur gazetarët për kontributin që kanë dhënë për denoncimin e farsës elektorale. 

Ai ka qenë kontribut i çmuar dhe unë e vlerësoj shumë. Ato kronika të tyre kanë qenë dhe janë jashtëzakonisht të çmuara. Nga ana tjetër meqë më pyet, të sugjeroj miqësisht të lexosh raportet e OSBE-së se çfarë thonë për mediat në Shqipëri. Ato thonë se mediat u sollën si në diktaturë.

Kjo, absolutisht jo gazetarët e kronikës, ja këtu unë i përjashtoj. Unë i përjashtoj këtu gazetarët e kronikës nga ky klasifikim, pasi ka prej tyre që kanë rrezikuar shumë veten me raportimet që kanë bërë me guxim dhe trimëri.

Por në tërësi gjendja e medieve është shëmbëlltyrë e medieve në diktaturë. E thotë raporti, unë nuk kam lexuar ndonjë raport të tillë tjetër. Tani vijmë tek episodi, unë nuk e kam parasysh të gjithë, por jam absolutisht për respektimin e gazetarëve.

Dhe ju, në qoftë se në anën tjetër në 3 muaj, nuk bënit dot një pyetje, në këtë anë keni bërë çfarë pyetje dhe keni marrë përgjigje për çfarë keni dashur. Por cilido politikan duhet të ketë një kujdes të veçantë në marrëdhëniet me gazetarin.

Sikundër në protesta, kur ka një kauzë, besoj se gazetari duhet të ketë në qoftë se nuk e mbështet protestën dhe nuk ka asnjë detyrim të mbështesë protestën, nuk duhet të marrë porosi dhe të zbatojë porosi të cilat nuk është vendi për t’i zbatuar aty se mund të krijojë gjaknxehtësira dhe gjëra të papëlqyera.

Por marrëdhëniet me PD ju i keni pasur në tërësi më normale se me çdo forcë politike.

Në fakt, diaspora ka votuar masivisht për PD-në, por siç keni parë ju, kutitë e votave dhe votimi i tyre është fund e krye i manipuluar njëlloj si në Korenë e Veriut apo në diktaturën hoxhiste dikur.

Diaspora ka votuar dhe të garantoj se diaspora kundër narkoshtetit, do dëgjoni ju, do të thotë fuqishëm fjalën e saj, sepse përdhosja dhe shkelmimi që iu bë vullnetit të lirë të shqiptarëve në Europë do marrë përgjigje të fuqishme dhe shembullore po nga shqiptarët jashtë vendit.

Pra, ata të cilët menduan se mund të tallin diasporën me kuti të llojit të Koresë së Veriut, ata do marrin përgjigje ekzemplare nga diaspora.