Peskov: Takimi Putin-Trump i nevojshëm, por jo i nxituar

Kremlini po i zbeh pritjet në lidhje me një takim të ardhshëm midis presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump.

”Një takim i tillë është padyshim i nevojshëm, por një takim i nivelit të lartë duhet të jetë i përgatitur dhe produktiv”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Trump nga ana e tij kishte deklaruar më parë se ”donte të takohej me Putinin “sa më shpejt të jetë e mundur”. Por, komentet e Peskov tregojnë se Putini nuk ka asnjë nxitim.

Zëdhënësi i Kremlinit shpjegoi se takime të tilla paraprihen gjithmonë nga negociata me ekspertë, konsultime dhe “përgatitje të gjata dhe stresuese”.

Trump tha gjithashtu se vetëm një bisedë e drejtpërdrejtë midis tij dhe Putinit mund t’i jepte fund luftës.

Bisedimet e drejtpërdrejta midis përfaqësuesve ukrainas dhe rusë filluan sot në Stamboll, për herë të parë pas tre vitesh.

Peskov e kundërshtoi Trumpin duke thënë se ”delegacioni rus është mjaftueshëm i arsimuar dhe ka autoritetin e nevojshëm për të negociuar në mënyrë efektive”.