MARTESA MES BURRIT E GRUAS! Papa Leone XIV thirrje për forcimin e familjes dhe paqes

Në takimin me trupin diplomatik pranë selisë së shenjtë papa ka apeluar për forcimin e familjes. Madje i prerë theksoi se martesa është mes burrit dhe gruas. Më tej shton se krerët e qeverive duhet të punojnë për mirëqenien e popujve dhe për paqen

Papa Leone XIV ka bërë një thirrje të fortë për ndërtimin e shoqërive më të drejta dhe paqësore, duke vënë theksin te mbështetja për familjen e bazuar në martesën mes burrit dhe gruas, si themeli i një shoqërie të harmonizuar.

Gjatë audiencës me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, ATI I SHENJTE theksoi nevojën që qeveritë të angazhohen në uljen e pabarazive globale, që sipas tij krijojnë ndarje të thella jo vetëm mes kontinenteve dhe vendeve, por edhe brenda vetë shoqërive.

"Është detyrë e atyre që kanë përgjegjësi qeverisëse të punojnë për ndërtimin e shoqërive civile harmonike dhe të pajtuara. Kjo mund të arrihet mbi të gjitha duke investuar te familja, e bazuar në bashkimin e qëndrueshëm mes burrit dhe gruas", u shpreh Papa.

Duke ndarë edhe përvojën personale si bir emigrantësh, Papa rikujtoi se çdo njeri mund të gjendet në një moment të jetës si i sëmurë apo i shëndetshëm, i punësuar apo i papunë, në vendin e tij apo në një tokë të huaj, por dinjiteti njerëzor mbetet gjithmonë i pandryshuar dhe i shenjtë.

Thirrje për paqe në Ukrainë dhe Tokën e Shenjtë

Papa Leone XIV e shfrytëzoi këtë takim për të përsëritur thirrjen kundër luftërave dhe për një angazhim të ripërtërirë në ndërtimin e paqes, veçanërisht në Ukrainë dhe Tokën e Shenjtë. "Shërbimi im fillon në zemrën e një viti jubilar, i kushtuar shpresës. Është një kohë e kthimit dhe e rinovimit, një mundësi për të lënë pas konfliktet dhe për të nisur një rrugë të re të ndërtuar mbi të vërtetën, drejtësinë dhe paqen", theksoi ai.

Papa nënvizoi gjithashtu se "e vërteta është baza e çdo marrëdhënieje të vërtetë paqësore", dhe se Kisha nuk mund të heshtë përballë padrejtësive, edhe nëse kjo kërkon një gjuhë të drejtpërdrejtë që mund të shkaktojë keqkuptime të përkohshme.

Në përfundim, Papa Leone XIV u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të rimarrin frymën e dialogut dhe të ndalojnë garën për armatim. Ai theksoi nevojën për të fuqizuar diplomacinë multilaterale dhe institucionet ndërkombëtare, të krijuara për të zgjidhur konfliktet përmes dialogut, jo përmes forcës.

"Është koha që bota të ndalojë prodhimin e instrumenteve të vdekjes dhe të shkatërrimit. Vetëm një vullnet i sinqertë për dialog mund të çrrënjosë shkaqet e çdo konflikti dhe dëshire për pushtim", përfundoi Papa Leone XIV.