Bashkë për mjete ushtarake/ Marrëveshje për prodhimin e mjeteve dhe armëve me Britaninë e Madhe
Në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Kryeministri, Shqipëria dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar nënshkruan marrëveshjen për prodhimin e përbashkët të mjeteve dhe armëve ushtarake.
Sipas liderëve kjo marrëveshje ka si synim rritjen e sigurisë kombëtare dhe nxitjen e inovacionit teknologjik.
Shqipëria do të punojë së bashku me Britaninë e Bashkuar për prodhimin dhe shitjen e armëve dhe mjeteve ushtarake, përfshirë mbrojtjen ajrore tokësore dhe sistemet kundër dronëve.
Marrëveshja u nënshkrua me ardhjen e Kryeministrit britanik Kier Starmer në Tiranë gjatë një konference me Kryeministrin Edi Rama.
Liderët dhanë detaje për këtë marrëveshje, duke theksuar se dëshirojnë të forcojnë sigurinë kombëtare.
“Do të maksimizojë potencialin që ne kemi për investime në infrastrukturë në rritje në veçanti në sektorin e mbrojtjes dhe për këtë arsye jam shumë i kënaqur gjithasht.
Ne kemi për bashkëpunimin në sektorin e mbrojtjes dhe do të punojmë së bashku për prodhimin dhe shitjen e automjeteve ushtarake, pra një deklaratë e qëllimit sepse do të thotë që ne dëshirojmë të fuqizojmë sigurinë kombëtare dhe novacionin si edhe rritjen ekonomike të kombeve tona.”, tha Starmer.
Më tej, Kryeministri britanik zhvilloi dhe një tur në Muzeun e Forcave të Armatosura ku dhe një herë nënvizoi se kjo marrëveshje sjell një epokë të re të mbrojtjes.
“Jam vërtet i kënaqur që në kontekstin më të gjerë sot, kemi arritur një marrëveshje për të përmirësuar punën që bëjmë si dy vende për sigurinë dhe mbrojtjen, duke përfshirë prodhimin dhe prokurimin, sepse mendoj se kjo është një epokë e re për Evropën. Kjo është një epokë e re për sigurinë dhe mbrojtjen.”, tha Starmer.
Fill pas mbërritjes së tij në Tiranë, kreu i qeverisë britanike u prit në një ceremoni zyrtare nga Presidenti Bajram Begaj.
Kjo ishte vizita e parë e një kryeministri të mbretërisë së bashkuar në vendin tonë.
