Kadilli: Berisha krijoi modelin e kryetarokracisë, u lëpi çfarë u pështy për 2-3 vjet rresht

Në emisionin "Ora e Betit", në "Ora News", ish-deputeti i Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, deklaroi se rikthimi i Sali Berishës dhe modeli i tij i drejtimit janë përgjegjës për humbjen e PD-së

" Besoj se ka qenë e qartë për të gjithë. Që nga momenti që zoti Berisha u rikthye për të rimarrë Partinë Demokratike, e gjithë struktura, baza e partisë, ndoqi një projekt që qartësisht nuk çonte në fitore, për arsye të thjeshta.

Zoti Berisha ishte e shkuara, nuk mund të bëhej e ardhmja. Partia vuante nga modeli i kryetarokracisë ku zoti Berisha është krijuesi i këtij modeli.

Të gjitha aksionet politike të ndërmarra që nga 2021, shtatori e mbrapa, ishin të gjitha një lojë demagogjike.

Folën për primare, i zhbën primaret, folën për parime konservatore pastaj u harruan dhe këto parime.

Bënë një luftë të paprinciptë të dy grupimet e partisë me akuza të ndërsjellta për korrupsion, për lidhje me bandat, përgjegjës për vrasje dhe pastaj këto u harruan dhe u lëpi çfarë u pështy për 2-3 vjet rrjesht.

Të gjitha këto ishin arsye të mjaftueshme për të kuptuar që nuk ka asnjë shans për fitore", u shpreh Kadilli.