Bushati: Në një vend ku sistemi ligjor nuk funksionon, as zgjedhjet nuk mund të ishin as të lira e as të ndershme
Pedagogia Endira Bushati, në studion e lajmeve maratonë mbi zgjedhjet parlamentare të së dielës në “Ora Neës”, komentoi garën dhe problematikat e votimeve të 11 majit.
“Po e nis me një koment teorik, zgjedhjet si institucion nuk janë dita e zgjedhjeve, kutia apo fleta e votimit.
Por janë sistem kur janë ngritur në funksion të parimit të sundimit të ligjit, në këtë kuptim pyetja është se sa ky parim gjen zbatim në zgjedhjet dhe shoqërinë shqiptare.
I kuptoj të gjitha analizat dhe diskutimet, u vodh kjo vulë këtu apo diçka tjetër atje nuk funksionoi, thelbi është se në Shqipëri nuk funksionon ligji. Dhe kur them që nuk funksionon ligji këtë e nis nga ligji për shërbimin civil që është një ndër ligjet që kalon me 3/5-at në Kuvend, nuk funksionon ligji për financimin e partive politike, nuk funksionon ligji për prokurimet publike.
E në këtë kontekst që në Shqipëri kemi një sistem hibrid, produkti që janë zgjedhjet në Shqipëri ai kurrsesi nuk është i ndershëm.
Sepse kur ky sistem i ngritur nuk funksionon, zgjedhjet që janë brenda këtij sistemi nuk mund të jenë as të lira, as të ndershme dhe as të reflektojnë realisht vullnetin e të gjithë zgjedhësve. Me këtë nuk dua të them që Partia Demokratike i ka fituar zgjedhjet, por cila forcë arriti të ishte e suksesshme dhe pse PD-ja nuk arriti dot të mundte këto kontradikta që ishin brenda këtij sistemi zgjedhjesh”, u shpreh Endira Bushati.
NDIQNI MARATONËN LIVE TË ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI

