Akuza e PD-së mbi “trenin bullgar”, Celibashi: Nëse provohet, kemi të bëjmë me vepër penale! Rezultatet finale, brenda javës
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, reagoi sot nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës në lidhje me një denoncim të Partisë Demokratike mbi dyshimet për manipulim votash në KZAZ nr. 40, përmes asaj që njihet si fenomeni i “trenit bullgar”.
Sipas PD-së, janë konstatuar fletë votimi me parregullsi të dukshme, përfshirë ndryshime në ngjyrën e bojës, të cilat nuk përputhen me fletët zyrtare të shpërndara nga KQZ. Partia ka depozituar një kërkesë zyrtare për të siguruar pamjet filmike të qendrës së numërimit.
Celibashi u shpreh se ishte informuar publikisht për këtë denoncim dhe garantoi se KQZ do të vendosë në dispozicion të gjitha materialet e nevojshme për të gjitha subjektet politike, përfshirë pamjet e kërkuara nga PD.
“Nëse kjo ka ndodhur, jemi përpara një vepre penale,” tha Celibashi. “Është rasti për të pasur atë fokus që duhet, për t’i dhënë përgjigjen e merituar këtij rasti, nëse provohet se ka ekzistuar fenomeni i ‘trenin bullgar’, i futjes së fletëve të votimit nga jashtë dhe nxjerrjes së fletëve të vërteta te ai që ka sponsorizuar këtë gjë.”
Ai theksoi se transparenca është prioriteti i KQZ-së dhe çdo rast i dyshuar do të trajtohet me seriozitetin maksimal në bashkëpunim me organet hetimore.

Rezultatet përfundimtare
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka mbajtur një konferencë për mediat nga ambientet e Parkut Olimpik të Tiranës, ku vazhdon procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Celibashi theksoi se puna në qendrat e numërimit zhvillohet në një ambient me presion të lartë dhe stres të konsiderueshëm, për shkak të pranishmërisë së kandidatëve, vëzhguesve, përfaqësuesve të forcave politike, etj.
“Është një punë që zhvillohet në stres, në prani të kandidatëve politikë, vëzhguesve dhe mediave,” deklaroi Celibashi. “Megjithatë, procesi është duke shkuar normalisht.”
Ai konfirmoi gjithashtu se brenda fundit të kësaj jave priten të përfundojnë edhe rezultatet e votimit nga jashtë shtetit, të cilat do t’i bashkohen rezultatit përfundimtar të brendshëm.
“Deri në fund të javës do të kemi dhe rezultatet e votimit nga jashtë, që do t’i bashkëngjiten rezultatit brenda vendit,” tha ai.
NDIQNI MARATONËN LIVE TË ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI

