Balluku shpreson të thellojë avantazhin në Fier me votat e Diasporës: Do na japë mandatin e 12-të
Partia Socialiste ka siguruar 12 mandate në qarkun e Fierit, ndërsa Partia Demokratike 4 mandate.
Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku, e cilësoi si historike fitoren e forcës politike që ajo përfaqëson.
Ajo theksoi se procesi i numërimit ka kaluar pa probleme dhe ndërprerje.
“Sapo mbaroi numërimi i kutisë së fundit në Fier. Gjithçka ka shkuar mire. Kjo është e rëndësishme. Kemi pasur një proces model pa probleme dhe ndërprerje”, u shpreh Balluku.
Ajo gjithashtu shtoi se ishte e lumtur me rezultatet e deritanishme dhe përshkroi shifrat si një triumf për PS-në.
“Partia Socialiste është mbi 63%, ndërsa Partia Demokratike është në 25%. PD mund të mbajë vetëm 4 mandate. Siç është fitore historike për ne, është edhe një humbje historike për ta”, u shpreh ajo.
Në fund, Balluku bëri një paralajmërim për mundësinë që mandati i 12 të jetë i brishtë, duke përmendur ndikimin që mund të ketë numri i kutive të diasporës.
“Mandati i 12 është një mandat i brishtë për momentin, pasi për ne është shumë më i madh herësi sesa për partitë e vogla. Do të presim të shohim si do shkojnë numrat e kutive të diasporës,” përfundoi ajo.
“Shpresoj që zarfat e Diasporës të hapen shumë shpejt. Ju e dini që fierakët, lushnjarë dhe një pjesë e mirë e mallakastriotëve ndodhen në Greqi, ndërkohë që në Divjakë dhe Roskovec kemi edhe banorë të Italisë.
Kështu që me hapjen e zarfave të diasporës besoj se ai 65 % do të thellohet shumë e më shumë dhe mandati i 12-të do të konsolidohet edhe më shumë”, u shpreh Balluku.
NDIQNI MARATONËN LIVE TË ZGJEDHJEVE NË SHQIPËRI

