Ramabaja: Investimi i Edi Ramës në politikat ndaj Beogradit ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm

 I ftuar në një lidhje të drejtpërdrejtë për "Ora News", Sadri Ramabaja analizoi ndikimin e investimeve të qeverisë dhe ngriti shqetësime serioze për orientimin e politikës së jashtme të Shqipërisë, duke e cilësuar të dëmshëm.

" Është çështje e ndarjes së buxhetit, është çështje e vendimeve kruciale çështë e vërteta në këtë rast.

Shqipëria brenda kësaj periudhe, sidomos gjatë 4-5 viteve të fundit ka bërë investime të mëdha e të dukshme sidomos në infrastrukturë, por mbetet të shohim sesi do të reflektohet kjo në shportën e qytetarit. 

E kam fjalën se a do të ketë përparësi që të ketë ndërhyrje në ngritjen e çmimeve në artikujt e konsumit të përditshëm, në fushën e shëndetësisë, në përmirësimin e cilësisë në arsim etj.

Këto çështje janë pjesa më e ndjeshme, por për mua më shqetësuese është orientimi në politikat e jashtme të Shqipërisë.

Këto 4 vitet e fundit kanë lënë shumë për të dëshiruar në këtë plan sepse më tepër ka qenë një lloj përshtatje e politikave të një spektri të veçantë të politikanëve të Brukselit të cilët në një mënyrë ose një tjetër po pretendonin ta miklonin tutje, ta mbanin afër Beogradin duke i premtuar dhe të pamundurën, respektivisht duke mbajtur në jetë idenë e ndarjes së Kosovës dhe në këtë drejtim investimi i Edi Ramës ka qenë jashtëzakonisht i dëmshëm në rrafshin e interesit nacional", u shpreh Ramabaja.