Çepani: Qytetarët treguan qytetari, partitë nuk ishin në lartësinë e tyre
E ftuar në studion e "Ora News", Edlira Çepani tha se qytetarët treguan qytetari në ushtrimin e të drejtës së votës, ndërsa partitë politike nuk arritën të jenë në lartësinë e tyre gjatë fushatës.
" Unë kam qenë nga grupi që e ka vëzhguar të gjithë procesin, jo vetëm sot por edhe në ditët paraardhëse. Do ta vëzhgojmë deri në fund deri sa të mbarojë numërimi.
Ajo që mund të themi në këtë moment për procesin, unë do të thoja se qytetarët shqiptarë e treguan edhe një herë qytetarinë e tyre, e treguan që dinë të dalin të votojnë në mënyrën e duhur.
Për mendimin tim, partitë ende duhet të tregojnë që janë në lartësinë e qytetarëve. Mendoj se këto zgjedhje ende nuk ishin ky rast.
Partitë politike që nga fushata nuk arritën që të diskutonin në mënyrën e duhur mbi alternativa, mbi programe, por u morën më së shumti me etiketime, me numra, me shifra dhe jo me qytetarët në vetvete për t'i vënë ata në qendër të fushatës zgjedhore.
Ndërkohë siç e thashë, qytetarët e ushtruan të drejtën por edhe atë privilegj që kanë për të votuar sot, në një proces që ishte i qetë, me problematikat normale që mund të ketë dhe që pritet nga procesi në Shqipëri", u shpreh Çepani.
