Gjeta: Opozita nuk arriti të mobilizojë elektoratin gri, pjesëmarrja më e ulët se në 2021

I ftuar në studion e lajmeve në "Ora News", analisti Altin Gjeta vlerësoi se rënia e pjesëmarrjes në zgjedhje tregon mungesën e bindjes nga opozita dhe forcat e reja për të angazhuar elektoratin e pavendosur dhe qytetarët e zhgënjyer.

" Mendoj që elementi më interesant është pjesëmarrja. Duket se ka një rënie të paktën të numrit të votuesve në raport me zgjedhjet e përgjithshme të 2021 dhe kjo tregon që një pjesë e rëndësishme e qytetarëve shqiptarë nuk janë bindur mjaftueshëm për të shkuar në kutitë e votimit dhe për të bërë një zgjedhje për 4 vitet e ardhshme.

Me këto të dhëna që kemi, mund të themi që ka një pjesëmarrje më të vogël sesa zgjedhjet e përgjithshme të 2021.

Mendoj që opozita në tërësi por edhe forcat e reja politike, kur ka pasur një shpresë relativisht të madhe se do të sillnin diçka ndryshe, nuk kanë arritur mesa duket të mobilizojnë një numër të mjaftueshëm qytetarësh të pavendosur elektorat gri ose njerëz të cilët janë të pa angazhuar në forca të caktuara politike ose qytetarë të cilët kanë pasur një pëlqyeshmëri për partitë politike tradicionale por prej shumë vitesh tashmë nuk e gjejnë veten të përfaqësuar tek këto parti politike dhe sigurisht nuk kanë votuar ose nuk kanë zgjedhur të votojnë këto parti politike, kanë abstenuar e kështu me radhë.

Duket që në këto momente që flasim, janë të dhëna fillestare, por tregojnë që opozita në tërësi nuk ka arritur të mobilizojë elektoratin gri, votuesit e pavendosur dhe ata të zhgënjyer, çka besoj që në fund të ditës do të prodhoj një rezultat ndoshta zhgënjyes për opozitën politike në Shqipëri", u shpreh Gjeta.