Tafani: Fushata e Ramës pa programe, SPAK frenoi bandat
I ftuar në studion e "Ora News", analisti Endri Tafani tha se fushatat elektorale të mazhorancës janë larguar prej kohësh nga llogaridhënia dhe programet konkrete, ndërsa vlerësoi se mungesa e ngjarjeve të rënda në këtë fushatë mund t’i atribuohet ndikimit të SPAK-ut.
"Nuk është e para herë që mazhoranca ka këtë mënyrë të të bërit fushatë.
Në 2017 ishte tepsia dhe timoni, në 2021 ishin pantallonat doku të Bashës, kësaj radhe ishte bufi i kënetës.
Mënyra sesi Rama e bën fushatën ka kohë që është shkëputur nga pjesa e diskutimit të programeve dhe atyre që realisht duhet ti japi llogari në qoftë se i ka arritur si shifra apo jo, për shembull premtimi i 300 mijë vende pune, që normalisht nuk e ka arritur, shëndetësia falas.
Për shembull kemi mjekë të cilët bënin masakër me ilaçet e kancerit.
Pra i shmanget përgjegjësisë për këto gjëra dhe fillon dhe merret me denigrimin e opozitës në atë drejtim, kështu që nuk është ndonjë gjë e re.
Ajo që ishte paksa më e re kësaj radhe ishte që nuk kemi pasur ngjarje të rënda.
Kemi pasur vrasje në fushatë elektorale, ke pasur në 2021 në Elbasan, ke pasur në 2017, pra gjithmonë ke pasur një fushatë ku ke pasur një fushatë në të cilën ke pasur vrasje politike.
Kësaj radhe kemi parë që bandat në një farë mënyre nuk është se kanë vepruar në fushatën elektorale në mënyrë aq të hapur sa çkanë vepruar më përpara. Mendoj se vshtë meritë e SPAK-ut.
Bandat vepronin sepse kishin mbështetje politike", u shpreh Tafani.
