Zëdhënësja e PS-qytetarëve: Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, familjet dhe fëmijët
TIRANA- Zëdhënësja për zgjedhjet pranë Partisë Socialiste, Silda Çepe ka dhënë një deklaratë për mediat ku iu drejtua qytetarëve me thirrjen për të votuar.
Çepe tha se me anë të votës qytetarët vendosin për Shqipërinë që dëshirojnë për veten, familjet dhe fëmijët.
Ajo shtoi se kjo ditë vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen.
DEKLARATA:
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për të gjithë ne, për vendin tonë.
Sot të gjithë ne kemi një mundësi, që vjen vetëm një herë në katër vjet, për të vendosur për të ardhmen e Shqipërisë, të familjeve tona, për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Vota juaj në këto zgjedhje është më e rëndësishme se kurrë.
Përmes saj ju do të vendosni se në ç’drejtim do të ecë Shqipëria jonë.
Prandaj, ju bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë: shkoni të votoni.
Vendosni ju vetë për Shqipërinë që dëshironi për veten, për familjet dhe për fëmijët.
Mos e lini këtë moment historik të kalojë pa zërin tuaj. 11 maji është dita juaj. Shqipëria ka nevojë për vendimin tuaj.
