Përplasja në Vorë, Celibashi: Partitë që kanë ankesa të na drejtohen ne
Kreu i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, Ilirjan Celibashi ka vizituar KZAZ-në e Vorës ku më herët u regjistrua dhe një incident ku u përfshi dhe sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka.
Celibashi kishte një ftesë për kandidatët për deputetë që të mos afrohen pranë qendrave të votimit, pasi vetëm prania e tyre mund të sjellë përshkallëzim të situatës.
“Çdo gjë po shkon mirë në aspektin e përdorimit të teknologjisë nuk ka pasur probleme.
Në dy tre qendra që ne vizituam nuk kishte asnjë problem. Shpresojmë që të vazhdojë kështu dhe procesi të përfundojë me sukses.
E raportuan dhe në KZAZ këtë situatë me Nokën, nuk e di përse ka ndodhur ai konflikt.
Por një gjë mund ta them se është me dobi që të gjithë shqetësimet që subjektet politikë kanë t’i adresojnë në KQZ.
E kuptoj që në terren situata nuk mund të përcillet dhe kaq e qetë. Kandidatët për deputetë sa më larg qendrave të votimit.
Angazhimi i tyre mund të sjellë pasoja jo të mira për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, tha Celibashi.
