Shqipëria voton të dielën, Shabani: Moment historik për të larguar pengmarrësit e vendit në këto 30 vite
Endri Shabani kryetar i Nismës Thurje, që kandidon për deputet në siglën e koalicionit “Shqipëria Bëhet” në një intervistë për “Ora News” zbuloi arsyet se pse shqiptarët të dielën e 11 majit duhet të votojnë për forcat e reja dhe të shkëputen nga Rama-Berisha.
Ai bëri thirrje që të votojnë numrin 6 në fletën e 11 Majit, si e vetmja garanci për dinjitet.
“Fushata deri tani ka shkuar shumë mirë. Kudo ku kemi shkuar kemi gjetur entuziazëm të qytetarëve shqiptarëve.
Në çdo lagje, në çdo rrugë shqiptarët e kanë vendosur që ta ndryshojnë klasën politike dhe ky është një moment ku ne do mund t’i japim fund tranzicionit politik që duhej të kishte mbaruar me kohë dhe të dielën do të bëhet kjo ndarje për të nisur një rrugë të re.
Roli ynë historik në këtë moment politik është që të shthurim rrjetin e merimangës që partitë e vjetra kanë ndërtuar në këto 30 vite.
Nuk ka sektor të shoqërisë që nuk kulmon tek koka e merimangës që është në parlamentin e Shqipërisë.
Dhe synimi ynë është të futemi në parlament dhe të ofrojmë mundësi të barabarta për të rinjtë, për fëmijët e çdo shqiptari të zakonshëm, për të ofruar një prespektivë që të rinjtë të qëndrojnë brenda vendit, sepse të rinjtë e sotëm i kanë sytë jashtë tij.
Për këtë arsye ne duam që atë mision që ne e kemi nisur që në 2020-ën me 6 kallëzime në SPAK që kanë sjellë dhe arrestimin e ministrave që vidhnin lekët e ilaçeve ne duam që ta çojmë një hap më tej.
Ne duam që kur të futemi në parlament, përmes komisioneve hetimore, projektligjeve të ndryshme të kërkojmë rikthimin e pasurisë që i është vjedhur shqiptarëve, pra ta çojmë këtë mision deri në fund.
Ajo që ne po synojmë është që t’i japim më tepër zë qytetarëve shqiptarë, në veçanti të rinjve të cilët ndihen të papërfaqësuar.
Unë nuk bëj llogari se sa mandate merr njëri apo tjetri, ajo që unë di është që çdo i ri që hyn në parlament nxjerr nga aty një plak të politikës që e kanë mbajtur peng këtë vend.
Ne nuk mund të rikthejmë të rinjtë që kanë ikur pa larguar nga politika pleqtë që e kanë mbajtur vendin peng”, u shpreh ndër të tjera Endri Shabani.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME ENDRI SHABANIN


