Lazio shmang humbjen ndaj Parmës, shpresat për Champions mbeten gjallë
Në "Olimpico", Lazio dhe Parma ndanë nga një pikë në javën e 34-t të Serisë A, pas një sfide plot emocione që përfundoi 2-2.
Miqtë kaluan në avantazh që në minutat e para me Ondrejka, i cili u bë protagonisti absolut i pjesës së parë. Në fillim të pjesës së dytë, talenti i Parmës realizoi 'dopietën' personale, duke thelluar avantazhin për skuadrën e drejtuar nga Chivu.
Lazio, në vështirësi të mëdha, rrezikoi të pësonte edhe golin e tretë, por portieri Mandas ishte vendimtar duke ndalur një goditje të fortë nga Pellegrino.
Pas kësaj ndërhyrjeje, Lazio mori frymë dhe reagoi. Hyrja në lojë e Pedro-s rezultoi vendimtare: veterani spanjoll shënoi dy gola mes minutës së 79-të dhe 84-t, duke i dhuruar Lazios një barazim të çmuar.
Falë këtij rezultati, Lazio qëndron në garë për një vend në Champions League, duke mbetur vetëm dy pikë larg Juventusit, që aktualisht mban vendin e katërt në klasifikim.

