Spanja paralizohet nga një 'blackout' masiv, në rrezik edhe Barcelona–Inter

Një ‘blackout’ i paprecedentë ka tronditur Spanjën paraditen e sotme, të hënën më 28 prill.

Pjesa më e madhe e vendit ka mbetur pa energji elektririke për arsye ende të paqarta, duke shkaktuar kaos të plotë në transport, shërbime publike dhe aktivitete të tjera jetike.

As sporti nuk ka shpëtuar nga pasojat: ndeshjet e turneut të tenisit Master1000 në Madrid janë pezulluar përkohësisht për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

Por shqetësimet nuk ndalen këtu. Ka frikë se kriza mund të ndikojë edhe në një nga ngjarjet më të mëdha sportive të javës: gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve mes Barcelonës dhe Interit, e cila është planifikuar të luhet të mërkurën në mbrëmje.

Konkretisht, udhëtimi i ekipit zikaltër drejt Katalunjës mund të përballet me vështirësi serioze për shkak të trazirave të shkaktuara nga ‘blackout’-i.

Autoritetet janë në alarm dhe përpjekjet për rikthimin e energjisë dhe normalizimin e situatës janë në vazhdim, por pasiguria për zhvillimin e evenimenteve madhore mbetet ende e lartë.