Mungesa e Thuran, zhvlerësoi Interin! Inzagi bën llogaritë për Barcelonën, Flick pa Lewandowskin

Mungesa e Thuram është shoqëruar me tre humbje radhazi për Interin. Mediet italianë në analizën e tyre theksojnë se në këtë situatë edhe përballja me Barcelonën në gjysmë finale e Champions do të jetë e vështirë. Kundërshtarët do të jenë pa Levandovskin, por yjet e Flick në fushë janë të shumtë

Tre ndeshje, tre humbje, zero gola të shënuar. Përtej statistikave, që pas 13 vitesh rikthejnë një bilanc kaq negativ për Interin dhe nxisin kritikët të fluturojnë mbi Appiano, realiteti është edhe më shqetësues: mungesa e Marcus Thuram ka ndryshuar totalisht fytyrën e skuadrës.

Me francezin në fushë, Interi ka një mesatare prej 2.2 pikësh për ndeshje dhe shënon 2.3 gola. Pa të, këto shifra bien në 1 pikë dhe vetëm 0.3 gola për ndeshje.

Më keq akoma, edhe Lautaro Martinez vuan dukshëm pa partnerin e tij të preferuar. Problemet ishin të njohura që në janar, por klubi vendosi të mos ndërhyjë në merkato, duke lënë Inzaghin me alternativa të lodhura ose të pasigurta si Arnautovic, Taremi dhe Correa.

Sot, prioriteti është të rikuperohet Thuram – dhe gjithashtu Dumfries – në kohë për sfidën e rëndësishme kundër Barcelonës në "Montjuic". Të dy lojtarët janë elementë kyç për të mbajtur gjallë shpresat e një gjysmëfinaleje të Champions League, pavarësisht superioritetit aktual të katalanasve dhe formës psikofizike më të mirë të tyre.

Marcus Thuram ka zhvilluar dje një seancë stërvitore me intensitet të lartë dhe për sot është planifikuar një rikthim i pjesshëm në stërvitjen me grupin. Sipas mjekëve të Interit, shanset për të qenë në avionin drejt Barcelonës janë të mira, dhe Inzaghi pret me shpresë rikthimin e tij.

Në rast të mungesës së Thuramit, do të ishte një tjetër goditje e rëndë pas një jave katastrofike, një skenar që askush tek Interi nuk dëshiron ta imagjinojë.

Nga ana tjetër, Hansi Flick duhet të bëjë llogaritë pa Robert Lewandowskin. Sulmuesi polak do të mungojë në ndeshjen e parë dhe rrezikon të humbasë edhe ndeshjen e kthimit.

Në vend të tij do të luajë Ferran Torres, i cili ka treguar formë të mirë, ndonëse nuk ka peshën e Leëandoëskit. Në portë, pavarësisht rikuperimit të shpejtë të Ter Stegen, pritet të luajë sërish Szczesny.

Për pjesën tjetër të formacionit, Flick do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë lojtarët kryesorë: Yamal dhe Raphinha do të kompletojnë repartin ofensiv përkrah Ferran Torresit, ndërsa Dani Olmo është favorit për rolin e trekuartistit. Në mesfushë pritet të luajnë Gavi dhe Pedri, dy nga talentet më të ndritur të Barcelonës.