VIDEO/ Zyrtarisht nën hetim, kreu i Prokurimeve del " i trazuar" nga SPAK-u

Ndryshe nga herët e tjera, kreu i Prokurimeve Publike Jonaid Myzyri, po merret në pyetje si person në hetim dhe për këtë arsye ai është thirrur këtë të martë, ku për afro dy orë ka dhënë argumentet e tij ndaj pretendimeve të ngritura nga prokurorët e SPAK-ut.

Pas tij në SPAK për të qenë i pranishëm është futur në seancën e marrjes në pyetje edhe avokati Ermir Beta.

Myzyri po hetohet për shpërdorim detyre dhe favorizim i kompanive në tendera.

Prokuroria e Posaçme prej kohësh po hetonte në disa tendera të dyshimtë dhe për të cilët janë dhënë në favorizim të kompanive preferenciale.

Kujtojmë se Myzyri u paraqit në SPAK edhe dy javë më parë ku u mor në pyetje për më shumë se dy orë.

Po ashtu, kujtojmë se GJKKO më herët ka urdhëruar të hetohet kreu i KPP-së, 4 anëtarë të saj dhe roli i Beqajt dhe Shkëlqim Canit.

Lidhur me veprimtarinë e dyshimtë të kreut të KPP-së, në media është raportuar më herët se si Jonaid Myzyri ka dhënë disa vendime në favor të kompanive “Alko Impekst General” dhe “Alko Impeks”, në pronësi të Arbër Abazit.

Dyshimet janë ngritur mbi aludimin se para emërimit në krye të KPP-së, Jonaid Myzyri ka punuar si jurist pikërisht te “Alko Impeks”.

Po ashtu, kujtojmë se në janar të këtij viti qeveria ka hapur garën për ta zëvendësuar Myzyrin, proces që ende nuk ka ndodhur.