Shuhet Papa Françesku/ Kisha Katolike në Tiranë meshë për Përshpirtje për Atin e Shenjtë
Në mbarë kishat dhe famullitë katolikë të Shqipërisë ranë sot kambanat e zisë dhe nisën meshat e përshpirtjes dhe lutjet për Papën e ndjerë.
Në Katedralen Shën Pali në Tiranë u vendos fotografia e Papës, ndërsa këtë pasdite po mbahet dhe një meshë në nder të tij.
"Papa Françesku na ka dëshmuar afrimitetin e tij me ato që janë periferitë e kishës dhe shoqërisë",-tha ndër të tjera Arqipeshkvi i Kishës katolike, Imzot Arjan Dodaj.
Më herët, nga Shkodra, Konferenca Ipeshkvnore u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të luten për shpirtin e Atit të Shenjtë.
“U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun.
Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve”, tha Dom Mark Pashkja.
Jeta lulëzon mbi vdekjen, ndaj kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj nuk i ndërpreu ceremonitë e pagëzimit të dy vogëlushëve në Tiranë. Flamuri i Vatikanit u ul në gjysmështizë në të gjitha famullitë.
Dom Enzo, një misionar pranë kishës katolike në Vlore është një nga personat që ka patur fatin ta takojë Papën, një nga momentet qe sipas tij mbetet e gjallë në memorie.
Duke nisur nga kjo e hënë, mesha e pasdites, në orën 18.00, do t’i dedikohet Papës në mbarë Shqipërinë.
