Një makinë golash/ Barcelona e frikshme, por jo e pathyeshme
Barcelona këtë sezon po i shkatërron mbrojtjet e gjysmës së Europës.
Sulmi i saj galaktik, i përbërë nga ‘ylli’ i ri në ngritje Lamine Yamal, bomber-i i përjetshëm Robert Lewandowski dhe një Raphinha në formë për Topin e Artë, përfaqëson vetëm një pjesë të arsenalit sulmues të katalanasve.
Nëse ndjesitë nuk mjaftojnë, janë shifrat që e tregojnë qartë: Barcelona është skuadra që ka shënuar më shumë gola në Champions League — 37 gola në 12 ndeshje, me një mesatare prej mbi 3 golash për ndeshje.
Një ritëm tronditës që djemtë e Flick e kanë mbajtur edhe në La Liga, me 81 gola të realizuar në 31 ndeshje — rekordi më i mirë në 5 kampionatet më të forta të Europës.
Mjafton një analizë e thjeshtë e këtyre numrave për të kuptuar fuqinë sulmuese të Barcelonës.
Por Interi mund të shpresojë te një fakt i vetëm: Barcelona shënon shumë, por edhe pëson po aq, veçanërisht jashtë shtëpie në Champions.
Mbrojtje e brishtë në transfertë
Duke parë ecurinë e Barcelonës së Flick në Europë, përveç numrit të madh të golave të shënuar, bie në sy një tjetër fakt: golat e pësuar jashtë fushe.
Vetëm në një rast, në ndeshjen e parë të 1/8-ve kundër Benficës, blaugranat kanë arritur të mbajnë portën të paprekur.
Në të gjitha ndeshjet e tjera kanë pësuar të paktën 2 gola për ndeshje.
Dhe ajo sfidë në Portugali mund të quhet një rast i veçuar — duke qenë se të dyja skuadrat ishin përballur disa javë më parë në fazën e grupeve, me ndeshjen që përfundoi 4-5 për Barcelonën.
Në total, spanjollët kanë pësuar 13 gola në 6 transfertat evropiane — një mesatare prej mbi 2 golash për ndeshje.
Dhe një tjetër shembull që mund të shërbejë si burim frymëzimi për Interin është sfida Barcelona–Atalanta: bergamaskët nuk u mbytën nga valët sulmuese të ‘blaugranave’ dhe arritën një 2-2 që la më shumë keqardhje për Gasperinin sesa për Flick.
Kështu që Interi, i mbështetur në një fazë mbrojtjeje elitare, mund të tentojë të ndërtojë një ndeshje të parë në “Montjuïc” ku të kufizojë dëmet dhe të luajë gjithçka në rikthimin e madh në “San Siro”. Për këtë Inter, asgjë nuk është e pamundur.
