ITALI – SPANJË, BETEJË PËR CHAMPIONS! Përballja e Lazios me norvegjezët do vendosë renditjen
Spanja dhe Italia tashmë kanë nisur llogaritë se cili do të dërgojë 5 ekipe në sezonin e ri të Champions League. Fitorja e Interit i jep më shumë shpresë italianëve, por për të kaluar spanjollët Lacio duhet të fitojë me 3 gola ndaj norvegjezëve
Sezoni 2024/25 i kompeticioneve evropiane vazhdon me emocion dhe bashkë me të edhe gara e veçantë për dy vendet shtesë në edicionin e ardhshëm të Champions League.
Një risi e futur me formatin e ri të Ligës së Kampioneve, që do të ketë 36 ekipe pjesëmarrëse dhe një fazë e vetme grupore me tetë ndeshje për çdo skuadër.
Dy nga katër vendet shtesë u rezervohen federatave që arrijnë renditjen më të mirë sezonale në UEFA, bazuar në rezultatet e skuadrave pjesëmarrëse në kupat e Evropës.
Pikërisht për këtë Serie A fitoi një vend shtesë në Champions, që këtë herë po tenton ta ruajë.
Pas kualifikimit të Interit në gjysmëfinalet e Champions, Italia ruan shpresat. Ndërkohë, Real Madrid u eliminua nga Arsenal dhe nuk kontribuoi më në pikët e Spanjës.
Tashmë gjithçka varet nga Fiorentina dhe Lazio. “Viola” ka fituar 2-1 në transfertë dhe është në avantazh për kualifikimin, ndërsa Lazio ka nevojë për një përmbysje ndaj norvegjezëve të Bodo/Glimt, pas humbjes 0-2 në ndeshjen e parë.
Në sfidën për renditjen, rivalja direkte mbetet Spanja.
Betis është thuajse i kualifikuar në gjysmëfinalet e Conference League dhe mund të përballet pikërisht me Fiorentinën, ndërsa Athletic Bilbao do të kërkojë një fitore ndaj Rangers pas barazimit në Skoci.
Italia shpreson në eliminimin e Bilbaos dhe ndoshta një ndalesë të Betisit për të rritur shanset.
RENDITJA
Anglia: 25.892 pikë (vendi shtesë i siguruar)
Spanja: 22.607 pikë
Italia: 20.750 pikë
Gjermania: 18.421 pikë
Franca: 16.857 pikë

