Nuredin Dumani: Për atentatin ndaj Lulzim Mashës kam marrë 350 mijë euro nga Suel Çela. Henrik Hoxha: Porosia ishte fillimisht për djalin e Lulzimit, por ...

Këtë të enjte vijon seanca në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Plumbi i Artë”, ku bashkëpunëtori i drejtësisë Nuredin Dumani po vijon dëshminë në sallën e gjyqit.

Ai po vijon të pyetet nga avokati Gentian Rumano.

Nuredin Dumani: "Gjatë kohës që Erjon Alibej ka qenë në burg të Elbasanit ai ka pas “Sky Ecc” dhe kemi komunikuar së bashku.

Kur u transferua Erjoni s’kemi pasur mundësi komunikimi. Gjatë kohës që kam qenë në kërkim për vrasjen e vëllezërve Haxhia dhe Dorjan Shkoza kam kaluar në kufi pa probleme.

Kam kaluar me disa njerëz të mi. Për vrasjen e Lulzim Mashës i kam dhënë Henrikut në telefon në “Sky” ose “Matrix”. Pagesa ka qenë 150 fillimisht dhe më pas 200. Me sa më kujtohet i kam dhënë 10 mijë euro kapar. Kujtoj që 10 i kam mbajtur vetë".

Henrik Hoxha: "Është marrë porosia fillimisht për djalin e Lulzim Mashës, po djali nuk ka ardhur dhe i kemi rënë Lulzim Mashës. E kam shprehur në deklarimet e mia".

Nuredin Dumani: "Pagesën e kemi marrë para ngjarjes. Kam qenë në Kosovë kur i kam marrë lekët. Për herë të parë e kam marrë aplikacionin “Matrix” në vitin 2021 kur ka dalë.

Në “Sky” kam pasur pseudonime “Alkatras”, “Covid 19”, “Totorina”. I Henrikut ka qenë “Baftjari” emrin në “Sky”. Aleksandër Baho vinte disa herë në Kosovë me makina të veta. Baho ka ardhur për qejf. Për Lulzim Mashën ma ka dhënë Suel Çela dhe më ka thënë është porosi nga persona të tjera".