Akuzat e PD-së se nuk vepruan kundër Suel Çelës, Policia e Shtetit: Kemi zbatuar detyrat konform ligjit

Policia e Shtetit në një deklaratë për mediet ditën e sotme nënvizon se nuk ka refuzuar në asnjë moment zbatimin e detyrave që i ngarkon ligji.

Duke iu përgjigjur akuzave të ngritura nga anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, Policia e Shtetit garanton se është e baraslarguar nga subjektet politike dhe fokusi i saj është zbatimi i ligjit.

“Policia e Shtetit shpreh indinjatën e thellë për përpjekjet e vazhdueshme të përfaqësuesve të subjektit politik “Partia Demokratike” për të përbaltur punën e Policisë së Shtetit, punë e cila vlerësohet përditë nga partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese më prestigjioze ndërkombëtare.

Deklarata e sotme nuk është asgjë tjetër veçse vijim i përpjekjeve të përditshme, duke sajuar e akuzuar pa të drejtë qindra-mijëra punonjës të Policisë së Shtetit dhe stafet drejtuese të tyre”, thuhet në deklaratën për medie të Policisë së Shtetit.

“Policia e Shtetit, siç ka treguar besueshmëri e profesionalizëm, përkushtim e vendosmëri përkrah partnerëve në luftë kundër krimit, edhe me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit ka të njëjtin standard dhe marrëdhënie mjaft të mira në interes të zbatimit të ligjit”, vijon reagimi.

“Sqarojmë opinionin publik se Policia e Shtetit nuk ka refuzuar asnjëherë të përmbushë detyrat e ngarkuara sipas ligjeve në fuqi, por i ka zbatuar dhe përmbushur ato me profesionalizëm e konform ligjit”, nënvizon Policia e Shtetit.

“Këto sulme, duke tentuar të intimidojnë strukturat dhe drejtuesit e Policisë së Shtetit, kanë vetëm një qëllim, të frenojnë revanshin e ligjit në territor ndaj çdo paligjshmërie, si dhe të krijojnë krisje të besimit të qytetarëve te Policia, e cila është institucioni më i besuar nga qytetarët, bazuar kjo në anketimet e bëra nga organizatat ndërkombëtare që asistojnë punën e Policisë së Shtetit. Për Policinë e Shtetit, qytetari dhe ligji janë të shenjta, dhe këtë aleancë nuk do të mund ta cenojnë shpifjet nëpërmjet shkrimeve në rrjete sociale e portale apo deklaratat politike”, thuhet në njoftim.

“Cilido punonjës policie që do të shkelë këtë aleancë dhe do të bëhet palë me paligjshmërinë, do të marrë ndëshkimin më të ashpër sipas ligjit, duke u përballur me drejtësinë dhe me largimin e menjëhershëm nga radhët e Policisë së Shtetit. Garantojmë qytetarët dhe të gjitha subjektet politike se Policia e Shtetit është tërësisht e baraslarguar nga subjektet politike dhe e fokusuar vetëm në zbatimin e ligjit, garantimin e rendit e sigurisë përgjatë fushatës elektorale dhe paprekshmërisë së votës gjatë ditës së votimit”, përfundon njoftimi.

Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, në një deklaratë nga selia blu u shpreh se Policia e Shtetit nuk ka zbatuar një urdhër të dhënë nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Sipas Këlliçit, Policia e Shtetit “ka refuzuar të zbatojë një urdhër të Prokurorisë së Posaçme për të kontrolluar tregun e Elbasanit”.

Këlliçi theksoi se ky treg i përket grupit të Suel Çelës. “Ky është një veprim jo vetëm në kundërshtim me ligjin, por edhe dëshmi e dorëzimit të shtetit në duart e krimit të organizuar. Ky është standardi i tij me drejtësinë dhe Europën”, u shpreh Këlliçi në deklaratën e tij.