VIDEO/ Dalin pamjet e operacionit të BKH-së në Elbasan! Dyshime për abuzime me tendera nga bashkitë e Qarkut, sekuestrohen dosje, kompjutera dhe…

"Ora News" siguron pamjet e operacionit qe po zhvillohet nga agjentët e BKH qe prej orëve të para të kësaj të enjteje, ku janë duke u ushtruar kontrolle të imtësishme në zyrat qëndrore të një biznesi të madh në Elbasan në fushën e ndërtimeve dhe jo vetëm.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë zbarkuar që në orën 06:30 në këtë qytet ku kanë sekuestruar fillimisht pas hapjes së zyrave celularët e punonjësve.

Me urdhër të prokurorit, agjentët kanë mbajtur procesverbal dhe kanë sekuestruar dosje, kompjutera dhe aparate celularë të biznesit, i cili rezulton se ka lidhje me hetimin dhe kontrollet që janë zhvilluar kohët e fundit për korrupsion kryesisht në disa bashki të Qarkut të Elbasanit.

Kompania e kontrolluar rezulton se ka përfituar tendera të shumtë, mjaft prej të cilëve të dyshuar në mënyrë të paligjshme nga bashkitë e Qarkut të Elbasanit.

Në kuadër të këtyre hetimeve, agjentët të shumtë të BKH-së kanë zbarkuar në biznesin e tij të mbështetur edhe nga policia.

Prokuroria e Posaçme po heton disa kompani të fuqishme ndërtimi me aktivitet jo vetëm në Elbasan, por edhe në Tiranë e Durrës.