PAMJET/ Lumi Buna kthehet në arenë stërvitore e trupave ushtarake ndërkombëtar “Flood North Albania”

Operacioni stërvitor ndërkombëtar “Flood North Albania”, shënoi dje pikën kulmore me demonstrimin e ndërhyrjeve në ndihmë të banorëve të izoluar, një situatë përmbytjeje.

Ky operacion u zhvillua në lumin Buna, në Shkodër dhe përfshinte disa komponentë.

Gjatë këtij operacioni u demonstrua një operacion shpëtimi për disa banorë të izoluar nga uji, shpëtimi i personave të plagosur, ndërhyrja për shpëtimin e bagëtive, ndërhyrja për të izoluar pasojat nga përmbytja e një magazine plehrash kimike dhe pesticidesh, etj.

Pjesë e stërvitjes ishin edhe helikopterë të ushtrisë shqiptare, të cilët ekzekutuan një operacion delikat shpëtimi të personave që janë duke u mbytur.

Stërvitja ishte e shkallës së gjerë dhe përfshiu edhe shërbimin e urgjencës shëndetësore, forcat e policisë, ushtrisë dhe Kryqin e Kuq.

PAMJET/ Lumi Buna kthehet në arenë stërvitore e trupave ushtarake

Shqipëria ishte vendi pritës i kësaj stërvitjeje, ku marrin pjesë 13 partnerëve që vijnë nga rajoni i Ballkanit, por jo vetëm.

Kjo stërvitje ka si objektiv të testojë përgatitjen e forcave të mbrojtjes civile në rast përmbytjesh, gatishmërinë e institucioneve vendase si dhe koordinimin mes vendit pritës dhe ndihmës që vjen nga vendet e tjera.

Stërvitja është një sfidë edhe nga ana organizative për Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të Shqipërisë.

Drejtori i AKMC-së, Haki Çako tha se “ky është një hap shumë i rëndësishëm për të perfeksionuar bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, për të përballuar së bashku fatkeqësitë natyrore”.

PAMJET/ Lumi Buna kthehet në arenë stërvitore e trupave ushtarake

Ky projekt është financuar nga DG ECHO, Bashkimi Europian dhe ka filluar që në Janar të vitit 2024 dhe përfundon në Dhjetor 2025 dhe lider i tij është Agjencia Kombëtare e Mbrotjes Civile të Shqipërisë. dhe në këtë partneritet janë përfshirë, përveç Shqipërisë edhe Mali i Zi, Kosova, Greqia, Italia, Qipro, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.