Fondi i sigurimit të depozitave në SHKK arrin në 2.6 milionë euro

Fondi i sigurimit të depozitave në shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK) u rrit me pothuajse 16% vitin e kaluar. Sipas informacionit të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD) ky fond arriti vlerën e 257 milionë lekëve ose rreth 2.6 milionë eurove. Të ardhurat kryesore që kontribuojnë në rritjen e fondit të sigurimit të depozitave në SHKK janë të ardhurat nga primi i sigurimit dhe të ardhurat nga investimi i mjeteve financiare.

Të ardhurat nga primet e sigurimit për vitin 2024 arritën në rreth 23.5 milionë lekë, 6.2% krahasuar me një vit më parë. Ndërsa të ardhurat nga investimi i fondit të akumuluar ishin 10.9 milionë lekë, në rritje me 22.7% krahasuar me një vit më parë. Në fund të vitit 2024, depozitat e siguruara për SHKK-të ishin rreth 8.05 miliard lekë ose 3.5% më të larta se një vit më parë.

Tashmë, raporti i mbulimit të depozitave të siguruara në SHKK prej fondit të administruar nga ASD ka arritur në 3.19%, nga 2.86% që kishte qenë një vit më parë. Raporti i mbulimit është ndjeshëm më i ulët krahasuar me atë të depozitave në banka, që në fund të vitit 2024 arriti në 7.61%. Megjithatë, skema e sigurimit të depozitave në SHKK është më e re në kohë.

Ngritja e këtij fondi nisi në vitin 2015, me ndryshimet e ligjit “Për sigurimin e depozitave”, që përfshinë edhe SHKK-të në skemën e sigurimit të depozitave, deri në 2 milionë lekë për çdo depozitues. Në janar të vitit 2015, u arkëtua nga Buxheti i Shtetit fondi themeltar për sigurimin e depozitave në SHKK në vlerë 76 milionë lekë, që siguroi bazën fillestare financiare të ngritjes së fondit të sigurimit të depozitave në SHKK.

Duke nisur nga viti 2015 e në vazhdim, ASD ka administruar mjetet financiare të fondit të sigurimit të depozitave në SHKK. Megjithatë, SHKK-të e para hynë në skemë vetëm në fillim të vitit 2017, për shkak të kohës së nevojshme për përmbushjen e kritereve ligjore për përfshirjen në të.

Sigurimi bëhet efektiv vetëm në momentin kur SHKK-ja përkatëse anëtarësohet në skemën e sigurimit të ASD-së. Për këtë qëllim, SHKK-të duhet të certifikohen dhe të marrin një vërtetim të përmbushjes së kritereve nga Këshilli Drejtues i ASD-së. Aktualisht, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) raporton nëntë subjekte të nëtarësuara në skemën e sigurimit të depozitave.

Shoqëritë e kursim-kreditit janë institucione të lejuara me ligj të pranojnë depozita nga anëtarët dhe të ofrojnë kredi për ta. Modeli i SHKK-ve ka rezultuar efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Ato janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore.

Përfshirja në skemën e sigurimit të depozitave vlerësohet se ka patur një rol të rëndësishëm në rritjen e sektorit të SHKK-ve në vitet e fundit. Megjithatë, viti i kaluar tregoi një ngadalësim të ndjeshëm në rritjen e tregut, duke reflektuar ndoshta edhe tkurrjen e popullsisë rurale dhe ecurinë e dobët të sektorit të bujqësisë.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të tregut në fund të vitit 2024 arriti vlerën e 16 miliardë lekëve ose rreth 163 milionë eurove, në rritje me 2.8% krahasuar me një vit më parë. Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të vitit 2024, depozitat përbënin afërsisht 69% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë, ato prekën shifrën e 11 miliardë lekëve, pothuajse në të njëjtën vlerë me një vit më parë./ Monitor