Kolegji i Evropës, vizita studimore për trashëgiminë kulturore, përfshirjen sociale dhe zhvillimin lokal
Studentët e Kolegjit të Evropës në Tiranë zhvilluan një vizitë studimore në jug të vendit për t’u njohur nga afër me mënyrat se si mbështetja e BE-së po ndihmon komunitetet të rriten, forcohen dhe krijojnë mundësi të reja për vendin dhe të rinjtë.
Vizita nisi në Gjirokastër, ku studentët u takuan me të rinj vendas në Qendrën Kulturore “Fato Berberi”, e rikonstruktuar rishtazi me bashkëfinancim nga BE-ja, Greqia dhe Shqipëria. Ata ndanë përvojën e tyre në Kolegjin e Evropës dhe folën për mundësitë që BE-ja ofron për të rinjtë shqiptarë në fushën e arsimit.
Studentët e Kolegjit të Evropës mësuan më shumë mbi mbështetjen që BE-ja po ofron për zhvillimin e Gjirokastrës: nga ruajtja e trashëgimisë kulturore, te përfshirja sociale dhe investimet në infrastrukturë dhe zhvillim lokal.
Grupi vizitoi edhe Muzeun Etnografik dhe shtëpinë e fëmijërisë së Ismail Kadaresë, duke u njohur më nga afër me traditat e qytetit dhe jetën e një prej shkrimtarëve tanë më të mëdhenj.
Vizita studimore vazhdoi me “Turin e Midhjeve” në Liqenin e Butrintit, një përvojë unike e mbështetur nga BE-ja përmes Challenge Fund të EU4Innovation, që tregon se si turizmi i qëndrueshëm mund të zhvillohet duke krijuar mundësi të reja për zonën. Vizita u mbyll me një shëtitje në Parkun Kombëtar Arkeologjik të Butrintit, një sit i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Më herët studentët e Kolegjit të Evropës ishin edhe në veri të vendit. Këto vizita studimore nga veriu në jug u dhanë studentëve mundësinë të lidhen me komunitetet vendore, të njihen nga afër me projektet e mbështetura nga BE dhe të shohin ndikimin konkret të kësaj mbështetjeje në terren.
Kolegji i Evropës në Tiranë hapi dyert në shtator 2024, për 31 studentët e parë të masterit. Ata vijnë nga vende të ndryshme të rajonit, nga Ballkani Perëndimor dhe nga Evropa. Ky është i pari kampus jashtë Bashkimit Evropian.

