Ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, DPT asistencë biznesit

Me ndryshimet në ligjin e ri “Për tatimit mbi të ardhurat”, Shërbimi Tatimpagues në DPT dhe rajone ka këshilluar mijëra tatimpagues për të garantuar informimin e tyre lidhur me plotësimin e saktë të deklaratave të reja.

Sipas DPT-së, në muajin mars 10,874 tatimpagues janë asistuar në takime të drejtpërdrejta, 5,897 tatimpagues kanë marrë përgjigjet e nevojshme me telefon nga DRT-të, 7,383 tatimpagues kanë marrë përgjigje nëpërmjet e-Filing dhe 3,661 tatimpagues janë asistuar nga Call Center nëpërmjet thirrjeve hyrëse.

Me tatimpaguesit u diskutua mbi deklaratën e Tatimit në Burim, listëpagesën dhe efektet e deklaratës së Statusit Personal, ndryshimet në deklaratën DIVA 2024, deklaratën e Tatimit mbi të Ardhurat nga biznesi si dhe deklaratën e Tatimit mbi të Ardhurat e korporatës.

Lehtësitë tatimore sipas ligjit të ri të “Tatimit mbi të Ardhurat” përcaktojnë 5% tatimfitimi për agroturizmin deri në vitin 2029, shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor, veprimtaritë ekonomike që prodhojnë apo zhvillojnë software, të regjistruar para hyrjes në fuqi të ligjit dhe industrinë automotive deri në vitin 2029.

Po ashtu, 0% tatimfitimi për individët tregtarë, të vetëpunësuarit dhe entitetet me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, deri në vitin 2029, strukturat akomoduese (hotele, resorte me 4 dhe 5 yje) do të vazhdojnë të jenë të përjashtuara nga tatimi mbi të ardhurat.