Tarifat e SHBA-së, Gjoka: Vendimi i Trump ndikon direkt tek tregtia e bimëve mjekësore. Qeveria të ndërhyjë me subvencione

Tarifa 10% e vendosur nga Presidenti i SHBA-ve Donald Trump eksporteve shqiptare ka ngritur shqetësime mes eksportuesve të bimëve mjekësore në vend.

Për të kuptuar më shumë mbi siutuatën e re të krijuar tashmë, kreu i Shoqatës së Bimëve Mjekësore dhe Aromatike, Filip Gjoka, ishte i ftuar në një intervistë për studion e lajmeve në “Ora News”.

Gjoka theksoi nevojën e marrjes së masave të menjëhershme, pasi sipas tyre tarifat sjellin ulje të konkurueshmërisë së mallrave shqiptare në tregjet amerikane.

Në këtë kontekst, ai paralajmëroi rënie të dërgesave që shoqërohen me humbje për prodhuesit dhe përballë kësaj situate, Filip Gjoka kërkon ndërhyrje nga qeveria.

“Industria jonë ka pasur mjaft probleme në këto dy vitet fundit me rëniet e euros dhe dollarit, largimin e njerëzve nga zona e ndryshme të vendit, kostot e larta të naftës dhe një sërë problematikash të tjera.

Pavarësisht se në një farë mase ne jemi disi më të privilegjuar nga masa 10 % e vendosur nga SHBA, ne sërish kërkojmë që qeveria të ndërhyjë menjëherë duke kthyer në 10 % rimbursim për fermerët me qëllim që ne të na bëjë disi të barabartë me Setrbinë dhe Maqedoninë, vende të cilat kanë taksa shumë më të larta se vendi ynë, por kanë subvencionime shumë herë më të larta se ne”, u shpreh ndër të tjera Filip Gjoka.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË ME KREUN E SHOQATËS SË BIMËVE MJEKËSORE DHE AROMATIKE, FILIP GJOKA