Trashëgimia e Maradonës, sherr mes familjarëve në seancën e radhës gjyqësore

Konflikti i vazhdueshëm mes trashëgimtarëve të Diego Armando Maradonës për shfrytëzimin e të drejtave të imazhit dhe të "markës Maradona" u shfaq plotësisht në Buenos Aires, gjatë seancës së tetë të gjyqit që heton rrethanat e vdekjes së idhullit argjentinas.

Kjo mosmarrëveshje komerciale është tashmë objekt i një procesi gjyqësor paralel, ku si i dyshuar kryesor është avokati Matías Morla, ish-bashkëpunëtori dhe administratori i financave të "El Diez" gjatë viteve të tij të fundit të jetës.

Morla akuzohet për mashtrim ndaj trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë, fëmijëve të Maradonës, duke përfituar nga gjendja e tij e rënduar psiko-fizike për të përvetësuar të drejtat e shfrytëzimit përmes motrave të tij.

E pyetur për këtë çështje, Claudia Maradona, motra më e vogël e Diego-s, nuk ka mundur të përcaktojë momentin e saktë kur Maradona ka dhënë këtë leje, duke pohuar se "e ka thënë me gojë, gjatë verës së vitit 2019".

Po ashtu, Claudia pranoi se aktualisht merr një përfitim çdo muaj përmes motrës së saj Rita, e cila është presidente e kompanisë Sattvica SA, e themeluar nga Morla dhe e cila administron të drejtat e shfrytëzimit.

Në bankën e dëshmitarëve sot u paraqit edhe Ana Maradona, 74 vjeçe, e cila në lidhje me përfitimet që merr nga të drejtat e imazhit të vëllait të saj, u shpreh shkurt: "Diego donte që të ishim mirë dhe të mos na mungonte asgjë".

Nga ana tjetër, në disa deklarata për mediet, avokati i vajzave të Maradonës, Fernando Burlando, ka sugjeruar se figura e Morlës është e lidhur drejtpërdrejt edhe me stafin mjekësor që u kujdes për Maradonën në muajt e fundit të jetës së tij – një grup mjekësh që sot akuzohet se ka shkaktuar vdekjen e tij.