Presidenti i PL-së, Ilir Meta shpreh ngjushëllimet: Arti shqiptar në zi për humbjen e Margarita Xhepës
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa.
Në një postim në Facebook, ai e cilësoi atë si një yll të papërsëritshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare. Meta shprehet se Xhepa la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme artistike, duke interpretuar mjeshtërisht nga veprat e Shekspirit deri te dramaturgjia shqiptare.
Ai e vlerësoi atë jo vetëm si një ikonë të artit, por edhe si një grua dhe nënë që dha mesazhe të fuqishme sociale dhe kombëtare. Meta theksoi se kjo është një humbje e pazëvendësueshme për artin shqiptar. Ai i shprehu ngushëllimet familjes Xhepa dhe gjithë komunitetit artistik. “I paharruar kujtimi i saj! Të prehet në paqen e merituar,” përfundoi Meta.
"Me pikëllim të thellë mora lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të yllit të papërsëritshëm të skenës dhe kinematografisë shqiptare, Margarita Xhepa. Një artiste e jashtëzakonshme, e cila mjeshtërisht na la trashëgim shumë vlera të mëdha unike artistike që nga Shekspiri i madh e deri te dramaturgjia e spikatur shqiptare duke skalitur karaktere e duke i ndërtuar aq bukur, me të cilat arti ynë skenik dhe kinematografia jonë është përfaqësuar denjësisht edhe ndërkombëtarisht.
Gjithmonë e dashur dhe e respektuar, Margarita Xhepa do të kujtohet përherë me mirënjohje për kontributin e vyer për kulturën dhe identitetin tonë kombëtar, e cila edhe si zonjë dhe nënë e nderuar, arriti të jepte mesazhe të përjetshme frymëzuese, njerëzore dhe sociale, përtej fasadave të rreme ideologjike, duke e vënë artin në shërbim të kauzave madhore sociale e kombëtare. Arti shqiptar është sot në zi për këtë humbje kaq të madhe dhe të pazëvendësueshme.
Ngushëllimet më të sinqerta për familjen e dashur dhe të madhe Xhepa, që aq shumë i ka dhënë artit shqiptar, si edhe për të gjithë komunitetin e artistëve. I paharruar kujtimi i Saj! Të prehet në paqen e merituar!"
