VIDEO/ McGuire, një nga personazhet e Tirana Grand Prix: Përshtypje fantastike

Eddie McGuire, një irlandez që jeton në Londër, ishte një nga personazhet e Tirana Grand Prix, AFA III, me “Bentley” e tij Speed Six, të vitit 1930, 6500 cc.

McGuire ka marrë pjesë në disa gara ndër të cilat, Goodwood Members’ Meeting – Parnell Cup; Goodwood Members’ Meeting – Richmond Trophy; Benjafield 100 – Silverstone.

Ai shprehet i lumtur që vizitoi Shqipërinë, teksa vlerësoi mikpritjen shqiptare.

“Kam përshkruar gjithë Europën përmes aktiviteteve të makinave. Për shumë njerëz makina është arsyeja pse shkojnë në vende të ndryshme. Ndërsa për mua arsyeja pse shkoj në vende të ndryshme është jeta, njerëzit mënyra si jetojnë çfarë ndodh në botë. Makinat janë të ftohta, pa shpirt“, tregon ai.

McGuire, i cili vizitoi për herë të parë Shqipërinë thotë se ka mbetur i mrekulluar me natyrën dhe njerëzit.

“Pata këtë mundësi të mrekullueshme të vij për herë të parë në Shqipëri. Nuk më duhet shumë për të thënë “po”. Erdha pa asnjë paragjykim, nuk e dija sa banorë ka Tirana. Nuk dija asgjë. Përshtypja e parë që në aeroport ishte fantastike. Më pas udhëtimi me taksi drejt qendrës së qytetit.

Vetëm duke parë nga dritarja, pata ndjesi pozitive. Më pas filloi eventi. Mikpritja? E jashtëzakonshme”, thotë ai.

McGuire thekson se janë njerëzit ata që i japin jetë aktivitetit, pavarësisht platformave.

“Ata krijojnë platformën, por janë njerëzit që e bëjnë eventin të marrë jetë. Unë gjithmonë kërkoj jetën. De këtu në Shqipëri e gjeta dhe ishte wow. Rini, gjallëri zhvillim ekonomik që ndihet, energji. Kam pasur jetë fantastike, por e ardhmja është ajo që po ndodh këtu, është rinia, gjallëria është vetëbesimi”, shprehet më tej ai.

McGuire thotë se ai do të jetë një ambasador i Shqipërisë.