“Rama një meme që ecën”, Berisha prezanton programin e PD, thirrje të rinjve: Jeni para një vendimi epik
Sali Berisha ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike përpara të rinjve.
Ai e nisi fjalën e tij duke kujtuar vendimin që mori për të lënë karrierën e tij si mjek dhe futjen në politikë.
Ai tha se nuk ka realizim ëndrre nëse nuk merr një vendim, duke u bërë thirrje të rinjve që në këto 39 ditë që kanë mbetur të marrin vendimin për të luftuar siç tha ai diktaturën e dytë.
Ndërkohë Edi Ramën e ka quajtur ‘meme e gjallë, meme që ecën’, të cilin të rinjtë e tmerruan në rrjetet sociale dhe për këtë arsye sipas Berishës, ai mbylli TikTok-un.
“Vendimi erdhi që t’i dilja kundër diktuarës komuniste sepse kisha një karrierë, isha familjarë.
Ky vendim mund të ishte fatal, por ai vendim ndryshoi çdo gjë sepse jo vetëm transformoi jetën time në moshën 46 vjeçare por preku dhe shumë jetë të tjera e në një farë mënyrë ndikoi dhe në fatin e Shqipërisë.
Po të mos ishte ky vendim mund të isha një mjek me një karrierë të arrirë, po të mos ishte vendimi i Azem Hajdarit, i mijëra studentëve që në dhjetor 1990 dolën si heronj të vërtetë, përsëri pa ata historia jonë do të ishte tjetër.
Nuk ka ëndërr të madhe që mund të realizohet pa vendime.
Janë këto vendime të cilat në disa mënyra patën një ndikim të pazëvendësueshëm në faktin që sot shqiptarët jetojnë të lirë në Shqipëri dhe në Kosovë.
39 ditë na ndajnë, të gjithë ju jeni para një vendimi epik, në të cilin ju përmbushni pa mëdyshje misionin më të madh të jetës suaj, përcillni në kandelat e historisë një diktaturë të dytë, të bazuar në drogë, krimin dhe varfërimin e shqiptarëve.
Çdo i ri dhe e re këto 39 ditë t’i shtrojë në ditë të betejës më të madhe të ëndrrave, sepse përballë jush qëndron një shpresevrasës, arrogant, një meme e gjallë, meqenëse e tmerruat ju me meme dhe e mbylli TikTok le ta quajmë një meme e gjallë, që quhet Edi Rama, meme që ecën”, tha Berisha.
“Këto 39 ditë, t’i shpallim ditët e njishave. Njishat dhe njishi janë sa hyjnorë aq edhe tokësor. Njishi është numri i diellit, numri i fatit që përcakton dhe ndan historinë. Dhe ju të gjithë jeni njishat e vërtetë të këtij kombi”, theksoi ai.
