Berisha: Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e tij
Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi nga Shkodra se martirët e 2 Prillit 1991 janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e tij.
Fjala e Berishës
Të dashur prindër dhe familjarë të martirëve të votës së lirë, Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Nazmi Kryeziut dhe Besnik Cekës. Të dashur qytetarë dhe qytetare të Shkodrës, i dashur zoti Luçiano Boçi, nënkryetar i PD dhe drejtues politik i këtij qarku.
Zonja Eliona Shkreli, kryetare e PD. Të nderuar deputetë dhe kandidatët për deputetë të PD të qarkut të Shkodrës. Sot jemi këtu për të shprehur nderimin tonë më të thellë, mirënjohjen më të pakufishme për martirët e votës së lirë.
Heronjtë e vërtetë të Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë. Arben Brocin, themelues i pluralizmit dhe PD-së. Bujanar Bishanakun, aktivist i shquar. Nazmi Kryeziun, aktivist i shquar i PD dhe Besnik Cekën, aktivist i shquar i kësaj partie.
Por ne nderojmë gjithashtu edhe 87 qytetarë të Shkodrës, që u plagosën në atë ditë masakre, të cilën Shkodra nuk e kishte regjistruar ndonjëherë në kohërat e reja në memorien e saj.
Më 2 prill të vitit 1991, diktatori i fundit stalinist në Europë, Ramiz Alia, i cili kishte pranuar zgjedhjet pluraliste, vendosi të festojë fitoren e grabitur në Shqipëri të zgjedhjeve me gjakun e të rinjve të Shkodrës nën motivin se pushteti do gjak, se pushteti vjen nga gjaku.
Gjakësorë siç ishin, ata i dëshmuan Shkodrës dhe Shqipërisë se si pushtues të brendshëm, nuk dallonin aspak nga pushtuesit e tjerë. Madje kishin pabesinë dhe mizorinë në shpirtin e tyre, nuk ngurruan të lajnë me gjak këtë qytet të bekuar.
Të dashur miq, sakrifica sublime e martirëve të votës së lirë, të dhjetëra e dhjetëra qytetarëve të Shkodrës që u plagosën atë ditë, pati jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare.
Zgjoi revoltën, dënimin e ashpër të mbarë opinionit demokratik evropian, të Parlamentit Europian, Këshillit të Europës, Kongresit të SHBA.
Me të vërtetë martirët e votësë lirë u ndanë atë ditë nga jeta, por mbetën të pavdekshëm në shpirtin e lirisë, në votën e lirë. Ndaj dhe ata janë sot burim drite, burim frymëzimi për çdo qytetar që i beson lirisë dhe votës së saj. Martirët e 2 Prillit janë frymëzim i madh për çdo qytetar të sakrifikojë për lirinë dhe votën e saj.

