TRASHËGIMIA PËRMES TEKNOLOGJISË! Nxënësit nga Kruma “ruajnë” traditat me metodat moderne
Nxënësit e shkollës “Skënderbeu” në Krumë të Hasit kanë realizuar një projekt të veçantë, duke përdorur pajisje teknologjike për të ruajtur dhe prezantuar traditat e zonës. Ata kanë ndërtuar një kullë, një dhomë nuseje dhe një mulli uji me elemente tradicionale, duke bashkuar teknologjinë me kulturën vendase.
Nxënësit e shkollës "Skënderbeu" në Krumë të Hasit, kanë krijuar me anë të pajisjeve teknologjike micro:bit një kullë dhe dhomë nuse tradicionale, duke sjellë elementë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore të zonës.
Pjesë e këtij projekti ishte dhe ndërtimi i një mulliri të ujit, ku u përdorën materiale dhe teknika që janë pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore të zonës.
Për të pasuruar idenë e tyre kishin zgjedhur një vajzë të veshur me kostumin tradicional duke kënduar ninullën, një këngë tradicionale e njohur në këto zona, e cila është pjesë e trashëgimisë që është ruajtur brez pas brezi.
Projekti i tyre ka si qëllim që të shërbejë si një mundësi për të treguar se si e kaluara dhe traditat mund të ruhen dhe për të nxitur të rinjtë që të jenë krenarë për kulturën e tyre.

