VIDEO/ Sulmoi arbitrat në ndeshje, nis procedimi penal për Presidentin e Apolonisë , Koço Kokëdhima
Një incident i pazakontë ka ndodhur dje (26 mars) gjatë ndeshjes Apolonia-Gramshi, e vlefshme për kampionatin e femrave dhe e luajtur në Fier.
Presidenti i Klubit Sportiv Apolonia për Femra, Koço Kokëdhima i cili protestonte ndaj vendimeve të gjytarit Dorjan Melataj ka hyrë në fushë gjatë lojës duke kërcënuar dhe shtyrë fizikisht atë.
Për shkak të situatës dhe tensioneve të krijuara, takimi është ndërprerë për 25 minuta, për të rinisur më pas.
Pas vijimit të lojës, takimi ka përfunduar 1-0 në favor të Apolonisë së Fierit. Për momentin nuk ka asnjë reagim nga klubi i Apolonisë, por as nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Burime nga klubi i Gramshit pretendojnë se sipas rregullores, takimi duhet të ishte ndërprerë përfundimisht.
Gjithashtu ata pretendojnë se trajneri, zyrtarë dhe presidenti i Apolonisë ofenduan, shtynë dhe goditën gjyqtarin e ndeshjes, teksa më pas i bënë edhe presion që të riniste takimin.
Nisur nga këto pretendime mësohet se: "Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale "Veprime të dhunshme në aktivitete sportive", pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin "Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M".
Në videon e mëposhtme dallohet qartë Kokëdhima dhe zyrtarë të ekipit teksa ‘pushtojnë’ fushën e lojës dhe sulmojnë gjyqtarin.

