VIDEO/ Nga mbrëmë tym toksik në Vlorë, Dredha kujtohet të shkojë në fushën e mbetjeve: Urojmë ta fikim, edhe pak orë durim

Fusha e mbetjeve në qytetin e Vlorës përfshihet sërish nga flakët. Zjarri ka rënë mbrëmjen e djeshme (23 mars) dhe vijon ende. Gjatë mëngjesit u përhap për shkak dhe të erës. 

"Ora News" sjell pamjet nga zjarri në fushën e mbetjeve dhe tymi toksik që mbulon qytetin e Vlorës. Zjarrëfikësit por dhe punonjës së bashkisë janë në terren për izolimin e flakëve dhe shuarjen e tyre me qëllim që të mos rrezikohen banesat që janë afër.

Në një prononcim për gazetarët kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, tha se situata është nën kontroll dhe brenda pak orësh zjarri do të shuhet.

“Zjarri nisi që mbrëmë rreth orës 21:00. Në orën 23:00 u vu nën kontroll, por për shkak të erës që ka vijuar dje në drekë dhe vijon dhe sot u përhap. Rreth orës 03:00 nisi sërish.

Të gjithë jemi në terren sa ta vëmë situatën nën kontroll. Nuk ka shumë prezencë të madhe zjarri më shumë ka tym. Nuk ka rrezik për banesat. Brenda pak orësh shpresojmë se do e vëmë nën kontroll”

Nuk është hera e parë që fusha e mbetjeve në qytetin bregdetar përfshihet nga flakët të cilat çlirojnë tym toksik duke sjell dhe shqetësime për banorët e Vlorës por dhe për turistët, e vetmja zgjidhje sipas specialistëve është largimi i mbetjeve drejt lanfildit të Sherishtës.

Kryetari i bashkisë lajmëroi se në fund të javës hyn në punë fusha e mbetjeve në Sherishtë ndërsa shpjegoi dhe çfarë do të ndodhë me fushën aktuale të mbetjeve.

“Këto mbetje nga këtu nuk do të largohen fillimisht do të mbulohen me dhe dhe më pas do të nisë projekti me KFW që është kapsulimi. Do të bëhet ecopark. Kjo është faza e dytë. Fillimisht do të vëmë në punë Sherishtën dhe brenda kësaj jave, fundi i kësaj jave nisim me hedhjen e mbetjeve në landfildin e Sherishtës" tha Dredha. 

Zjarri, i cili ka përfshirë zonën që prej mbrëmjes, vijon të monitorohet për të parandaluar përhapjen dhe pasojat e mëtejshme. Në dhjetorin e vitit të kaluar ishte hera e fundit kur fusha e mbetjeve u përfshi nga flakët.