Berisha: Morëm mbështetje të plotë nga PPE-të për PD dhe fitoren e saj në 11 maj. Shqipëria s'mund të qeveriset nga bandat
Lideri i opozitës, Sali Berisha, në konferencën për mediat, dha një pasqyrë të aktiviteteve të fundit të Partisë Demokratike në nivel ndërkombëtar. Ai theksoi pjesëmarrjen aktive të PD në konferencën rajonale të Partisë Popullore Europiane (PPE), e mbajtur në Podgoricë, ku u diskutua për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.
FJALA E BERISHES
Në Podgoricë, nën drejtimin e presidentit të Partisë Popullore Europiane, zotit Manfred Ëeber, u zhvillua konferenca rajonale e PPE me një pjesëmarrje të gjerë paneuropiane. Në këtë konferencë, kushtuar Ballkanit Perëndimor, PD mori pjesë aktive.
Në panelin e hapjes së konferencës, paraqita me të gjithë shëmtinë e saj narkodiktaturën e Shqipërisë si regjimi i parë i instaluar në shekuj në Europë.
Unë informova PPE se njeriu që shëtit me atlete të bardha në samite ndërkombëtare dhe paraqitet si liberal sportist apo piktor, pavarësisht se i dështuar në të dy aspektet, brenda në Shqipëri është një njeri që nuk respekton asnjë ligj, asnjë rregull, as Kushtetutë, as vendime të Kushtetutës, asgjë.
Është një narkodiktator i llojit të tij, i cili vazhdon dhe aplikon terrorin politik. Aplikon shndërrimin e zgjedhjeve në farsë, pra përbën një rrezik të madh për Shqipërinë, rajonin dhe Europën.
Fjala u ndoq me shumë interes, natyrisht theksoj edhe njëherë se Europa në shekuj ka parë të gjitha llojet e diktaturave, përveç narkodiktaturës.
Garantoj shqiptarët se kjo përpjekje e rëndësishme që u bë dje ka filluar të ketë një rezonim të madh dhe të vërtetë dhe do vazhdojë gjer në vendosjen para përgjegjësive ligjore të të gjithë atyre që shndërruan Shqipërinë nga shtet ligjor në narkoshtet.
Gjatë qëndrimit në Podgoricë, u krijua mundësia të bisedoj me presidentin e PPE, Weber, me drejtues të tjerë të kësaj partie, me mikpritës lokalë dhe pjesëmarrës në këtë konferencë.
Unë e shfrytëzoj rastin për t’i shprehur mirënjohjen presidentit Weber për ftesën dhe interesin dhe kujdesin që ai tregon për PD në Shqipëri dhe zhvillimet në Shqipëri.
Ju jeni dëshmitarë, janë tre rezoluta ndërkombëtare, të cilat janë votuar nga PPE, IDU dhe CDI. Pra, ka një ndryshim, ka një zhvillim dramatik pozitiv në marrëdhëniet e PD me PPE dhe partitë simotra.
Aty takova dhe pata bisedë me zëvendëspresidenten e Forza Italia, Debora Bergamini, një mikeshë e vjetër, që ka qenë asistentja e parë e Silvio Berluskonit.
Pati edhe përfaqësues të partive të tjera me të cilët biseduam për bashkëpunimin mes forcave tona politike. Pra, mesazhet e Podgoricës janë mesazhe mbështetje të plotë për PD dhe fitoren e saj në zgjedhjet e ardhshme.
Nga Podgorica, siç e patë, u ktheva në një miting, më i zjarrti qëka njohur pallati i sportit i Shkodrës që kur janë hedhur themelet e tij gjer sot.
Kam qenë në atë pallat shumë herë, por entuziazmin, optimizmin dhe energjinë që ndjeva gjatë atij takimi, nuk e kisha parë asnjëherë.
Paraqita deputetë të shkëlqyer para atyre qytetarëve të mrekullueshëm dhe i gjeta të vendosur më shumë se kurrë qytetarët e Shkodrës dhe të qarkut të votojnë PD-në dhe Aleancën për Shqipërinë Madhështore.
Programi i PD dhe Aleancës për Shqipërinë Madhështore po bëhet pjesë shpirtërore e qytetarëve shqiptarë.
Motoja jonë se do u kthejmë paratë shqiptarëve po ngjit gjithnë e më shumë.
Minimumi jetik 200 euro, rritja e pensioneve me 20 përqind, rritja e rrogës minimale me 20 përqind, rritja e rrogës mesatare në 1200 euro, karta e konsumatorit për pensionistët dhe rrogëulëtit, kanë pasur një impakt shumë pozitiv.
Çdo ditë unë marr pyetje nga njerëz të braktisur, njerëz në nevojë.
Një nënë më drejtohej: jam me dy fëmijë, a do përfitoj unë për fëmijët jetimë. Do përfitojë 200 euro për fëmijë.
Po, fëmijët jetimë do të përfitojnë 200 euro që të gjithë.
Nuk mund të ketë më shqiptarë të agresuar nga varfëria ekstreme.
Jo! Kjo merr fund. Nuk mund të ketë shqiptarë me çerek pensioni, gjysmë pensioni apo dy të tretat pension. Do ketë shqiptarë me 200 euro.
Me kartën e konsumatorit do marrin 450 euro, sot për sot se nesër kur të rriten çmimet, do shkojë edhe më shumë.
Kompensim për TVSH që paguajnë.
Energjia do zbresë në 7 lekë.
Nafta do zbresë në çmimet që ka Kosova.
Pra, kjo paketë që e quajmë paketa e dhembshurisë dhe që në fakt nuk është asgjë tjetër veçse kthimi i parave tek shqiptarët se atyre u merren taksat dhe ne do ua kthejmë atyre.
Ne nuk do shpenzojmë 130 milionë euro për djegësin që nuk ekziston.
Kryeministri nuk do udhëtojë me avion taksi 21 milionë euro në dy vite. Jo, do udhëtojë me linja tregtare.
Nuk do blihen kopshte Edeni 5 milionë euro, një çmenduri e paimagjinueshme, sikur është Sulltani i Surrelit. Jo, do kthehen në pensione.
Nuk do shtrohen darka dhe dreka me shishe vere 33 mijë euro. Jo dhe jo, asnjëherë.
Nuk do ndërtohen rrugë me 10fishin e çmimeve, paratë do u kthehen shqiptarëve, do u jepen rroga, pensione, kompensim i TVSH e me radhë.
Ky është vetëm fillimi.
Ky start nuk ndalet gjersa shqiptarët të dalin në krye të vendit për rrogat dhe pensionet.
Ky është preokupimi ynë, ky është zotimi ynë.
Prandaj ju patë atë takim aq të zjarrtë në pallatin e sportit në Shkodër.
Qytetarëve do u kthejmë paratë.
Do presim me gërshërë dorën që do guxojë të prekë paratë e tyre.



