Bujqësia dhe agroturizmi, Rama: Dy linja financimi, nxitje agropërpunimit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, të cilët i informoi mbi dy linjat e reja të financimit për zhvillimin rural, kredinë e butë dhe garancinë sovrane.
Rama theksoi se këto dy linja të reja do të lehtësojnë aksesin në financa të sipërmarrësve të vegjël e të mesëm në fshat, me qëllim rritjen e investimeve në sektorët prioritarë si prodhimi bujqësor e blegtoral; mekanizim e inovacion; agropërpunim dhe infrastrukturë agroturistike.
Kryeministri theksoi se “kredia e butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% dhe mbulon kolateralin deri në 70%”.
Kryeministri theksoi se nevoja për financim për agroturizmin është e vazhdueshme, ndërsa nxiti sipërmarrësit të aplikojnë në dy instrumentet e reja të financimit.
“Kjo duke u nisur nga linja kryesore e financimit që është linja e Bankën së Shqipërisë duke vendosur 250 milionë euro në shërbim të bizneseve të vogla dhe të mesme me fokus te bujqësia. Kur vjen puna te fokusi i bujqësisë agroturizmi është një nga komponentët, pasi janë edhe serrat, blegtoria dhe agropërpunimi”, tha Rama.
Kryeministri kërkoi nga sipërmarrësit që të mendojnë edhe për agropërpunimin në funksion të rritje së biznesit dhe daljes në treg me produktet e tyre.

