Arrestohet e dashura e Safet Bajrit, dyshohet si e përfshirë në vrasjen e Fatbardh Licit në Shkodër

Një vajzë e cila rezulton të jetë arrestuar dy vite më parë nga SPAK, si pjesë e grupit të Bruno Çobos, që mashtronte qytetarët e Bashkimit Evropian, mësohet të jetë arrestuar sërish nga SPAK, pas dyshimeve se është përfshirë në vrasjen e vitit 2018 të Fatbardh Licit në Shkodër.

Bëhet fjalë për shtetases V.A, të cilës SPAK i ka komunikuar dy akuza në ambientet e burgut të Pojskës në Pogradec si dhe masën e "arrestit në burg".

Aktualisht V.A është në proces gjykimi pranë gjykatës së Posaçme SPAK, për akuzën e Mashtrimit kompjuterik me pasoja të rënda në dëm të dhjetëra qytetarëve të BE.

Ndërsa prej 21 shkurtit 2025, kjo shtetase është ndaluar për të dytën herë me akuzën e Përkrahjes së autorit të krimit dhe Krijimi i kushteve për të kryer vrasjen e Fatbardh Licit.

Në kohën kur është kryer vepra penale V.A ka qenë e dashura e Safet Bajrit, i cili tashmë është arrestuar për këtë krim së bashku me Behar Bajrin dhe Astmer Bilalin.

Vrasja e Fatbardh Licit u krye në shenjë hakmarrje ndaj Ibrahim Licit, pasi Safeti, Behari dhe Astmeri dyshonin se ai kishte vrarë me armë zjarri çiftin Borana në Shkodër.