Elbasani mirëpret që sonte vizitorët/ Trafik i rënduar në hyrje të qytetit për “Ditën e Verës”

Gjatë pasdites së sotme, të gjitha rrugët hyrëse drejt qytetit të Elbasanit janë përballur me një rritje të ndjeshme të qarkullimit, ndërsa fluksi i automjeteve ka arritur kulmin në orët e para të mbrëmjes. Radhët e makinave shtrihen nga 3 deri në 5 kilometra, duke e bërë qarkullimin mjaft të vështirë.

Kjo dyndje e pazakontë lidhet me festimet tradicionale të Ditës së Verës, të cilat çdo vit mbledhin mijëra vizitorë në qytet. Pavarësisht masave të marra nga policia për të menaxhuar trafikun, fluksi i madh i automjeteve ka krijuar vështirësi në disiplinimin e lëvizjes, pasi në rrugët hyrëse të Elbasanit ndodhen mijëra makina.

Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes dhe durim nga drejtuesit e mjeteve, ndërsa përpjekjet për të lehtësuar trafikun mbeten në vazhdim.