Ter Stegen publikon një deklaratë urgjente: Dëmi është i pariparueshëm, nuk ka pasur asnjë tradhti
Portieri i Barcelonës, Marc-André Ter Stegen, dhe bashkëshortja e tij, Daniela Jehle, njoftuan ndarjen e tyre javën e kaluar përmes një deklarate të përbashkët të publikuar në rrjetet sociale. Tani, pas thashethemeve dhe spekulimeve se një person i tretë ishte shkaku i ndarjes, portieri gjerman ka vendosur të lëshojë një tjetër deklaratë për të sqaruar situatën.
Nëpërmjet profilit të tij në Instagram, Ter Stegen i drejtohet direkt “Catalunya Radio & Grupo 3Cat” duke thënë: "Jam i tronditur dhe i zhgënjyer nga menaxhimi i keq dhe mungesa e lidershipit e kontrollit në ‘Catalunya Radio & Grupo 3Cat’, të cilët kanë përhapur lajme të rreme dhe kanë shkelur të drejtat personale.
Gazetarët Juliana Canet, Roger Carandell dhe Marta Montaner janë gënjeshtarë që kanë shpërndarë informacione të pavërteta, duke fyer publikisht bashkëshorten time, Danielën, dhe dëmtuar rëndë reputacionin e saj.
Nuk ka pasur asnjë tradhti nga Daniela, nuk ka persona të tretë të përfshirë. Kjo është një e vërtetë absolute. Siç është bërë publike, Daniela dhe unë kemi vendosur të ndjekim rrugë të ndara në kushte të mira, duke ruajtur një komunikim të bazuar në besim".
Në përfundim të deklaratës, Ter Stegen thekson: "Është plotësisht e papranueshme që mediat publike të drejtuara nga qeveria të përhapin akuza të rreme kundër Danielës dhe ta sulmojnë atë personalisht. Dëmi është i pariparueshëm".

