Flick "vajton" mjekun e Barcelonës: Ishte pjesë kyçe e jona, lojtarët duan të fitojnë për të

Që nga e shtuna, Barcelona po përpiqet të përballojë një situatë të dhimbshme; të rimëkëmbet nga humbja e doktorit Carles Miñarro dhe të mos humbasë fokusin sportiv, pasi gara nuk ndalet. Të martën e pret Benfica në ndeshjen e kthimit të 1/8-ve të Champions League, por klubi katalanas vazhdon të jetë i tronditur emocionalisht.

Pikërisht për këtë arsye, Hansi Flick përjetoi një konferencë shtypi të vështirë, e cila u parapri nga një minutë heshtje, ku pranoi se të tijtë po përpiqen ta përballojnë këtë situatë: "Mendoj se ekipi po e menaxhon mirë situatën dhe është shumë i përqendruar te ndeshja. Presidenti foli me lojtarët në dhomën e zhveshjes të dielën, edhe unë gjithashtu".

Kjo ishte e vetmja pyetje direkte për Miñarro, teksa Flick u shpreh për rëndësinë e punës së tij në klub dhe cilësitë njerëzore që kishte: "Për ne është humbje e madhe. Carles ishte një person i mrekullueshëm dhe mjek i shkëlqyer, ky kombinim vlerash ishte fantastik për klubin dhe ekipin. Ai ishte pjesë e rëndësishme e suksesit tonë, por jeta është kështu. E dimë që do të na mbështesë nga lart. Ekipi gjithashtu dëshiron të fitojë për të. Po e përballojnë mirë këtë lajm të hidhur dhe detyra jonë është të ecim përpara".

Flick theksoi rëndësinë e përballjes me këtë ndeshje si një mundësi për të kujtuar Miñarro dhe për t’ia dedikuar fitoren. "Duam të luajmë për të, – tha trajneri gjerman, duke hedhur poshtë idenë e shtyrjes së ndeshjes. – Në këtë situatë është shumë e rëndësishme të fitojmë për të. Jemi gati për këtë. Duhet të vazhdojmë, kjo është puna jonë. Është një moment i rëndësishëm për klubin dhe duam të sillemi siç duhet".

Trajneri gjerman jo vetëm që e ka ndihmuar ekipin emocionalisht, por gjithashtu ka analizuar ndeshjen e parë dhe gabimet që u bënë. Flick përjashtoi idenë që ekipi mund të ndihet i sigurt pas fitores 1-0 në ndeshjen e parë:

"E shoh ekipin shumë të përqendruar, madje e kemi diskutuar ruajtjuen e vigjilencës të hënën në mëngjes. Në bisedën tonë u përqendruam te gjërat e mira dhe të këqija nga ndeshja e parë. Askush nga ana jonë nuk mendon se puna është bërë, sepse kemi ende ndeshjen e kthimit. Duam të kemi qëndrimin e duhur".

Ndër emrat individualë, Flick foli për Raphinha, një futbollist që po kalon sezonin më të mirë të karrierës dhe është një nga kandidatët për “Topin e Artë”: "Sigurisht, nëse e përfundon mirë këtë sezon, mund të ketë mundësi. Ai gjithmonë na ndihmon shumë, nëse sheh golat që ka shënuar konstaton sa i uritur është për sukses. Është mirë të shohësh sa i përqendruar luan, jam i kënaqur me nivelin e tij".

Pavarësisht situatës së ndjeshme që po përjeton klubi, Flick këmbënguli se sheh një ekip të gatshëm për t’u përballur me Benfica: "Gjithmonë është kështu. Më kujtohet java kur luajtëm ndaj Bayernit dhe Real Madridit, ishte diçka e ngjashme. Natyrisht, është shumë e rëndësishme që të fitojmë, veçanërisht pas rezultatit në Lisbonë. Jemi në një gjendje të mirë dhe kemi besim te vetja"./Noa.al