Memelli: Paga për nënat për 2 vite pas lindjes në programin e Partisë së Lirisë
Zëdhënësja e Presidentit të Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli deklaroi sot se, programi me pesë prioritete i PL për 4 milionë shqiptarë u jep mundësi grave dhe nënave të reja të ndërtojnë në Shqipëri të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“Sot, me rastin e 8 Marsit, ditës që nderon gratë dhe vajzat ne festojmë rolin e pazëvendësueshëm që femra ka në shoqëri. Ky është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për të gjitha ato që keni arritur dhe për të gjitha ato që vazhdoni të bëni çdo ditë”, tha Memelli në një deklaratë për mediet.
Ajo theksoi se programi i PL me 5 prioritete për 4 milionë shqiptarë plus parashikon “mbështetje të veçantë për gratë sipërmarrëse, incentiva për bizneset e reja që hapen nga gratë, paga për nënat për 2 vite pas lindjes, 70-100%, apartament për çiftet e reja, kredi për blerje apartamenti me interes të subvencionuar, zbritje të kredisë me 3,000 Euro – fëmija 1, 6,000 Euro – fëmija 2 dhe 10,000 Euro -fëmija 3”.
Gjithashtu Memelli u shpreh se programi i PL parashikon “ushqim dhe suplemente ushqimore të domosdoshme falas për gratë shtatzëna dhe fëmijët e sapolindur, rEduktim të vdekshmërisë foshnjore dhe të nënave. Punësim prioritar për nënat e reja. Barna falas për nënat dhe fëmijët e porsalindur për 1 vit si dhe pagesa e kujdestareve gjatë shtatzënisë”.
